Ylli Zalla monitorohej me dron ‘Bayraktar’, para arrestimit ‘patrullonte’ me kallash në dorë (VIDEO)
Këto pamje janë gjatë monitorimit që policia e Tiranës i ka bërë të shumëkërkuarit Ylli Zalla, i cili u prangos pak ditë më parë në afërsi të banesës së tij në Krujë.
Siç duket nga pamjet, ai është mbajtur nën vëzhgim me dron të teknologjisë së lartë, dronin “Bayraktar”, për të mbajtur nën kontroll lëvizjet e tij.
Në pamje, Zalla shfaqet duke lëvizur në zonë me një kallashnikov në krah, armë që iu sekuestrua bashkë me 3 karikatorë.
Ai u mbajt në survejim nga policia e Tiranës derisa u prangos nga forcat speciale RENEA, pas 10 muajsh arrati.
Ylli Zalla u ndalua pasi akuzohet për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, por në disa reagime në rrjetet sociale i ka mohuar këto akuza. Zalla shprehej se policia nuk donte ta arrestonte, por ta vriste, dhe sipas tij, kjo ishte arsyeja pse qëndronte në arrati.
Zalla u shpall në kërkim më 14 nëntor të vitit 2025, pas kontrolleve që Policia po kryente në zonën e Fushë-Krujës, në kuadër të hetimeve për atentatin në aeroportin e Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Në banesën e tij, Policia tha se kishte gjetur një arsenal armësh.

Blutë u rikthyen në banesën e Zallës më 20 shkurt të këtij viti, ku po ashtu gjetën një tjetër arsenal armësh, lëndë plasëse, municion luftarak, lëndë narkotike dhe uniforma policie.
Në përpjekje për arrestimin e tij, Policia shkoi sërish në banesën e tij më 23 qershor, ku gjetën një armë zjarri, pistoletë me fishekë në fole, gati për qitje, një celular, municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Një ditë para arrestimit, atij iu vendos lëndë plasëse në banesë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.