Zbulimet të reja arkeologjike në Akropolin e Butrintit
Kërkimet arkeologjike në Akropolin e Butrintit vazhdojnë të zbulojnë shtresa të reja të historisë së qytetit.
Për herë të parë në historinë e kërkimit shkencor në Butrint, është vënë në fokus të gërmimeve arkeologjike muri rrethues i qytetit të sipërm. Parku Kombëtar i Butrintit bën të ditur se kjo bëhet me synim njohjen e programeve fortifikues dhe oganizimit urban të Butrintit në etapa të ndryshme te zhvillimit të tij, në kuadër të projektit “Topografia Urbane e Butrintit në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetë”.
Këto gërmime do të ofrojnë të dhëna arkeologjike stratigrafike që mundësojnë datimin e murit rrethues të qytetit të sipërm dhe një lexim më të qartë të zhvillimit dhe ndryshimeve urbane të Butrintit gjatë mijëvjeçarit të fundit të jetës së tij, shek. V-XV të erës sonë.
Projekti është ndërmarrë nga Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave dhe mbështetet financiarisht nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit. Arkitektja dr. Nevila Molla thotë se, objektivi i këtij projekti është të hulumtojë fazat e ndërtimit të mureve të qytetit të sipërm, apo të Akropolit të Butrintit dhe veçanërisht të kuptojë organizimin topografik të qytetit në nivel makro, si të qytetit të sipërm, edhe të qytetit të poshtëm.
Konkretisht po punohet në një prej kullave të fortifikimit të Akropolit, ku gërmimet kanë mundësuar njohjen e një serie shtresash arkeologjike të akumuluara në kohë, që nga antikiteti i vonë deri në mesjetën e vonë.
“Këto janë gërmime të reja që për herë të parë ofrojnë të dhëna stratigrafike për kohën e ndërtimit dhe të përdorimit të këtyre mureve, si dhe të vetë zhvillimit të qytetit në etapa të ndryshme të historisë së tij”, shpjegoi arkitektja Nevila Molla.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.