Zekthi: Ambasadori i ri amerikan po dëshmon një qasje pedante dhe mbështetje të fuqishme për drejtësinë
Në emisionin “3D” me gazetarin Alban Dudushi në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), vëmendja e diskutimit u përqendrua te nisja e misionit diplomatik të ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt. Analisti Fitim Zekthi dha një vlerësim për javët e para të punës së kryediplomatit amerikan, duke nëvizuar profilit e tij serioz dhe mbrojtjen e linjës zyrtare të Uashingtonit për rajonin.
Sipas Zekthit, qasja e ambasadorit po shfaqet përmes një distancimi nga klasa politike dhe një përqendrimi te çështjet kritike të sigurisë kombëtare.
“Mendoj që do të kemi një ambasador shumë të rëndësishëm. Këtë mendoj edhe ai po e dëshmon këtë javën e parë, këto 10 ditët e para, që është një njeri shumë serioz dhe po ruan në mënyrë shumë të kujdesshme, gati pedante, të gjithë linjën e konfirmuar të politikës së jashtme amerikane në lidhje me Shqipërinë dhe me rajonin.”, tha Fitim Zekthi, analist.
Lufta kundër krimit si siguri kombëtare dhe presioni mbi politikën
Analisti vuri në dukje se në komunikimet e para të ambasadorit theksohet qartë lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, duke i konsideruar ato si prioritete të drejtpërdrejta të sigurisë.
Zekthi theksoi se kjo sjellje institucionale ka krijuar një ftohje strategjike ndaj aktorëve politikë lokalë, duke e vënë mjedisin politik në Shqipëri nën një lloj presioni.
“Në njëfarë mënyre pra ai po flet për luftë ndaj trafikut dhe luftë ndaj krimit të organizuar, duke i parë ato si çështje të sigurisë kombëtare. Dhe unë mendoj që që tani politika shqiptare, të dyja palët, janë të vëna në presion nga kjo lloj sjellje e ambasadorit. Nuk e kanë pritur ndoshta që do të kemi një ambasador që do të jetë i ftohtë me politikanët, dhe përkrahës e mbështetës i fuqishëm i reformës në drejtësi.”



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.