Zogjtë e Profesor Ilias dhe ne, barbarët
Mirëpo, para disa ditësh, kur ai u kthye nga pushimet, shkoi si zakonisht te zogjtë e tij dhe atje pa atë që askush nuk mund ta shpjegojë përse. Një dorë barbare e kishte shkatërruar atë kënd, atë shtëpizë të vogël, kishte thyer filxhanin e ujit kishte përmbysur çdo gjë. Për fat të keq kjo nuk është hera e parë. Po kësaj çfarë emri t’i vësh. Nuk ka rëndësi se cili ka qenë ai, i madh apo i vogël, ajo që të trondit është sensi i makabritetit barbar që kemi në shpirt. Ajo është një metaforë e vogël përballë agresivitetit që kemi treguar ne si shoqëri ndaj natyrës, por flet shumë. Ajo tregon se ne ende edhe sot nuk i edukojmë fëmijët tanë me dashurinë e asaj që është jashtë nesh, që është e brishtë dhe e pambrojtur. Ai kënd i vogël në pyll, i ndërtuar nga dora e njeriut për t’u shërbyer zogjve që jetojnë larg nesh, do të duhej të ishte një mesazh i ngrohtë paqeje dhe respekti për natyrën, për ata që janë të pambrojtur dhe që me praninë e tyre na e bëjnë jetën më të bukur dhe i japin kuptim edhe atdheut.
Të gjithë e kujtojnë se çfarë ndjesish patëm provuar kur për herë të parë kaluam kufirin dhe hymë në Maqedoni, bie fjala. Atje gjelbërim dhe vetëm gjelbërim. Te ne, kodrat e malet ishin shkatërruar në emër të hapjes së tokave të reja. Natyra nuk ishte më aleat, por burim që duhej shfrytëzuar, megjithëse ai shtet kishte kontroll të rreptë mbi të. Pas vitit ’90, të gjithë iu turrën tokave e maleve shqiptare jo për t’i bërë pjellore si fushat, siç ishte parrulla e komunistëve, por për t’i bërë saraje e vila për zengjinët e rinj që, në disa raste, nënshtruan edhe të gjitha qeveritë e këtyre 30 e ca vjetëve.
Të gjithë e dimë se zemërimi i madh popullor për ndërhyrjen brutale në zonën e mbrojtur të Zvërnecit ishte vetëm maja e ajsbergut e asaj që ne përjetojmë çdo ditë, ku jashtë banesës sonë, në territorin tonë të përbashkët ne sillemi sikur ai të jetë i askujt. As rruga nuk respektohet si një vend që duhet të na përkasë të gjithëve. Në shumicën e rasteve ajo është vendi ku duhet të zotërojnë të fortët. Në ambientet e shkollave fëmijët e të rinjtë, megjithëse kanë vendet e grumbullimit të mbeturinave, i hedhin ato ku të munden. Hapësira jashtë territorti të shtëpisë e shkollës është një hapësirë që nuk përfillet si e jona.
Nëse do të ngjitemi më lart me arsyetime, atëherë, për fat të keq, do të thoshim se marrëdhënia jonë me pronën është e helmuar që në ngjizje. Por ky është një debat më i gjerë. Mjaft të kujtojmë se si mund të bëheshe i pasur në Perandorinë Otomane, apo mjaft të kujtojmë se si u turrën gjithë të fortët e Albanisë në kryeqytitin otoman për t’u bërë vezirë e luftëtarë të hordhive turke që të bindemi se në kulturën tonë u ndërfut sepse dëshëm vetë shpërblimi përmes palçkitjes, sepse kjo ishte forma e pasurimit dhe e shperblimit në atë sistem.
Pas vitit 1912, kur territore të mëdha të vendit mbetën jashtë, ishte vonë. Nuk dua të zgjatem më tej në histori, por duke u kthyer te historia e profesor Ilias dhe zogjve të tij më duhet të them se ky instikt shkatërrimtar e barbar që lulëzon ndër ne e zhvlerëson edhe revolucionin e flamingove. Edhe sot ata që kanë mbetur në shesh, jo vetëm që i harruan flamingot, por me agresivitetin e pashuar që shpallin çdo natë, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se e mbajën ndezur zjarrin e urrejtjes dhe shkatërrimit, që në një moment të dhënë mund të djegë gjithçka.
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.