☀️
Tiranë 27°C · Kthjellët 01 June 2026
S&P 500 7,583 ▲0.03%
DOW 50,886 ▼0.29%
NASDAQ 27,026 ▲0.2%
NAFTA 93.67 ▲7.22%
ARI 4,507 ▼1.87%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
₿ CRYPTO
BTC $70,832 ▼ -3.88% ETH $1,963 ▼ -2.33% XRP $1.2807 ▼ -3.67% SOL $79.2900 ▼ -3.2%
S&P 500 7,583 ▲0.03 % DOW 50,886 ▼0.29 % NASDAQ 27,026 ▲0.2 % NAFTA 93.67 ▲7.22 % ARI 4,507 ▼1.87 % S&P 500 7,583 ▲0.03 % DOW 50,886 ▼0.29 % NASDAQ 27,026 ▲0.2 % NAFTA 93.67 ▲7.22 % ARI 4,507 ▼1.87 %
EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075 EUR/USD 1.1653 EUR/GBP 0.8664 EUR/CHF 0.9110 EUR/ALL 95.5215 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.4916 EUR/TRY 53.4825 EUR/JPY 185.68 EUR/CAD 1.6075
01 Jun 2026
Breaking
Opinion

Zvërneci dhe elefanti që nuk hyn në vrimën e gjilpërës

Nga Skënder Minxhozi

Katër miliard euro janë goxha para. Asnjë shqiptar i gjallë me siguri s’i ka parë në jetën e tij kaq shumë zero pas shifrës katër. Me to mund të bësh shumë punë të mira në një vend si i yni që ka nevojë jetike për miq, ndihma dhe investime nga bota. Por që më shumë se këto, ka nevojë për një zhvillim afatgjatë, harmonik dhe në zbatim të ligjeve e standarteve që i takojnë kontinentit ku fati na ka vendosur. Shkurt, një vend normal që t’i meritojë paratë e botës.

Debati i ndezur për projektin e Zvërnecit është vetëm pjesërisht një sherrnajë rojesh të eksituara që tërheqin zvarrë qytetarët. Është gjithashtu vetëm pjesërisht edhe debat mjedisor, ku zona delikate për nga ekuilibrat ekologjike meritojnë trajtim të diferencuar dhe shumë të kujdesshëm nga shteti e shoqëria. Në fakt debati për Zvërnecin shumë më i gjerë sesa përmasat gjeografike të asaj zone. Ai është i vjetër sa demokracia shqiptare dhe ka të bëjë në thelb me shtetbërjen, mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit. I trajtuar në këtë prizëm, ky konflikt buzë brigjeve të bukura të Vlorës vjen e zgjeron diapazonin e tij social, politik dhe ekonomik, duke paraqitur faqe botës dhe vetvetes defektin primar dhe më endemik të demokracisë shqiptare: funksionimin e shtetit dhe zbatimin e ligjit përmes dhënies drejtësi në rrugë procedurale e jo me pushkë dhe me Kanun!

Na duhet sa s’thuhet një projekt turistik i përmasave të Sazan-Zvërnecit. Është jetik për turizmin shqiptar, për imazhin e vendit, jo vetëm për Vlorën dhe zonën përreth saj. Por edhe më shumë na duhej e sërish na duhet që në këtë kuadër të kishim tashmë të zgjidhur pas 36 vitesh kryeçeshtjen që mban peng të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit: pronësinë mbi tokën. Është kjo kryefjala e një drame që shtrihet përmes statistikash të mbuluara me drama e tragjedi që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur, që kanë mbajtur gjallë një konflikt social të tmerrshëm në gjirin e shoqërisë shqiptare nga veriu në Jug e që siç po shihet nuk po lejojnë as në Zvërnec që elefanti katërmiliardësh i Trump&Co të futet në vrimën e gjilpërës të bregdetit të Vlorës. Një motor Ferrari nuk montohet dot në një shasi Fiati.

Në 36 vite ka qenë e gjithë koha e mjaftueshme që ky problem specifik shqiptar të gjente zgjidhje. Tani kur rritja ekonomike dhe sfidat e zhvillimit të Shqipërisë e sjellin në qendër të vëmendjes çeshtjen e pronësisë mbi tokën, realiteti bëhet edhe më therës e dramatik. Sepse vjen dita që kur të troket në derë një projekt kaq masiv dhe i rëndësishëm, problemi kryesor nuk është më sesi do të marrë formë investimi, cilat do të jenë fazat e tij, sa do të respektohen kriteret dhe standartet ndërtimore etj, por në plan të parë del konflikti mbi tokën private ku do të ndërtohet. Pa harruar impaktin mjedisor për shkak të specifikave të zonës.

Shqipëria nuk duhet vetëm ta kërkojë zhvillimin, nuk mjafton vetëm të lutet për të, të rrahë dyert e botës e të ftojë investime dhe fonde. Shqipëria duhet fillimisht ta meritojë zhvillimin, ta përthithë natyrshëm atë, duke  ndërtuar brenda territorit të saj mjedisin e shëndoshë për zhvillim e progres. Na duhet të jemi të gatshëm që pasi të bindim iks miliarder apo ypsilon investitor të madh për të hedhur para në këtë vend, t’i vendosim atij përpara kuadro ligjore të qarta, sisteme taksash e benefitesh transparente, pronësi toke pa mbivendosje e sherre gardhiqesh, infrastruktura që të lejojë transportin dhe lëvizjen nga veriu në jug në kohë të shkurtër e jo një mishmash rrugësh të ngushta e plot trafik që s’të grishin të hedhësh asnjë euro kur je i huaj e kalon nëpër to. Nuk vjen zhvillimi, fjala vjen, kur mu në Vlorë ndërrohen dyzina me drejtorë kadastre që ikin brenda muajit pasi kanë vënë një firmë. E pastaj habitemi pse ka përplasje pronësish mbi ngastrat e tokave turistike!

Kemi pasur dikur trena që të çonin ngadalë e në mënyrë spartane nga Vlora në Shkodër e Pogradec. Sot nuk çojmë dot trenin as deri në Rinas e Durrës, ndërkohë që vetë Tirana është i vetmi kryeqytet i Evropës që s’ka një stacion treni prej dekadash. Nuk vijnë miliardat kur turistët e investorët potencialë i zbarkon në aeroport e më pas ju duhet të marrin taksinë e radhës për të ardhur në Tiranë pas një orë pritje në trafik! Suksesi i Rinasit si projekt, me grykën e shishes të infrastrukturave që ngushtohet sapo del prej tij, është metafora e zhvillimit kaotik në të cilin gjendemi.

Duam turizëm të zhvilluar dhe kemi dëshirën e lëvdueshme që të presin mbi dhjetë milion turistë çdo vit në plazhet e bujtinat tona. Ama nuk bëhet kjo duke i ushqyer këto miliona vizitorësh me mish Brazili, peshk Greqie e djathë Maqedonie. Zhvillimi i një vendi është më së pari produkt i harmonizimit të politikave afatgjata e vizionit të qartë, jo fryt vizatimi ngastrash për hotele e vila në një ekran celulari gjatë kohë që konsumon një drekë diku në një breg deti. Shteti i qeverisur me celular po rezulton i improvizuar, i shbalancuar dhe defektoz e kjo vlen shumë përtej konfliktit të Zvërnecit. Është normale që me këtë sjellje nuk do kesh më pas as kamarierë nëpër strukturat turistike, as hidraulikë e elektricistë për ndërtimet masive, por as edhe çobenë për të prodhuar bulmetin, bujq për të prodhuar frutat e zarzavatet e deri edhe zjarrfikës për të shuar zjarret e frikshme që pritet të sjellë vera përvëluese që kemi përpara.

Zvërneci është një “lakmues katërmiliardësh” se Shqipëria duhet të përgatitet shumë seriozisht që të jetë e aftë të pranojë dhe të përfitojë nga ofertat e mëdha për zhvillim. Jemi të gjithë dakord se koha e kioskave si model zhvillimi ka kaluar. Por jemi edhe dakord që ky loj starti, kjo hapje e lojës dhe e diapazonit zhvillimor të vendit kërkon piketa të qarta dhe respektim rigoroz rregullash. Çka, siç po e tregon edhe Zvërneci, ende nuk i kemi!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.