⛅
Tiranë 24°C · Pjesërisht vranët 08 Tetor 2026
S&P 500 7,802 ▼0.22%
DOW 51,180 ▼0.66%
NASDAQ 27,539 ▼0.22%
NAFTA 92.19 ▲4.43%
ARI 4,148 ▲0.18%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963
₿ CRYPTO
BTC $82,500 ▼ -1.43% ETH $2,537 ▼ -1.59% XRP $1.3975 ▼ -3.32% SOL $113.2100 ▼ -3.46%
S&P 500 7,802 ▼0.22 % DOW 51,180 ▼0.66 % NASDAQ 27,539 ▼0.22 % NAFTA 92.19 ▲4.43 % ARI 4,148 ▲0.18 % S&P 500 7,802 ▼0.22 % DOW 51,180 ▼0.66 % NASDAQ 27,539 ▼0.22 % NAFTA 92.19 ▲4.43 % ARI 4,148 ▲0.18 %
EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963 EUR/USD 1.1199 EUR/GBP 0.8474 EUR/CHF 0.9331 EUR/ALL 91.8389 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4449 EUR/TRY 55.1143 EUR/JPY 176.96 EUR/CAD 1.5963
08 Tet 2026
Breaking
Bota

A po zhduket jeta e egër? Rënie prej 73% e popullatave të kafshëve që nga viti 1970

LONDËR, 8 tetor /ATSH-DPA/- Natyra në të gjithë botën po përjeton një rënie shumë të shpejtë të popullatave të kafshëve, por rikthimi i disa specieve, nga tigrat te peshqit ton, tregon se kjo situatë mund të përmirësohet.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës WWF publikoi raportin e saj të ri “Planeti i Gjallë”, i cili tregon se popullatat e kafshëve të egra në botë, janë pakësuar mesatarisht me 73% që nga viti 1970.

Megjithatë, ka edhe shenja pozitive. Në Britani të Madhe për shembull, vidrat, kastorët, shqiponjat e detit me bisht të bardhë dhe toni i kuq i Atlantikut, janë rikthyer në zona ku ishin zhdukur ose ishin bërë shumë të rrallë.

Në një tjetër rast, bizoni evropian është rikthyer në natyrë në 10 vende, pas më shumë se 50 vitesh punë, për shumimin e tyre në kushte të kontrolluara dhe rikthimin e tyre në habitatet natyrore.

WWF tha se popullatat e kafshëve mund të rikuperohen çuditërisht shpejt, nëse merren masa të menjëhershme.

Por organizata paralajmëron se vetëm mbrojtja direkte e kafshëve dhe habitateve, nuk mjafton për të rikthyer natyrën në shkallë globale.

Sipas WWF-së, duhen ndryshime të mëdha në mënyrën se si funksionojnë sistemet e energjisë, prodhimit të ushqimit dhe financave, sepse këto sisteme po kontribuojnë në dëmtimin e natyrës.

Raporti thotë se në sektorin e energjisë tashmë, mund të jenë duke ndodhur ndryshime pozitive dhe të shpejta.

Të dhënat e “Indeksit të Planetit të Gjallë”, të përgatitura së bashku me Shoqatën Zoologjike të Londrës (ZSL), tregojnë se popullatat e kafshëve të egra në të gjithë botën, kanë rënë mesatarisht me 73% nga viti 1970 deri në vitin 2022.

Kjo nuk do të thotë se 73% e të gjitha kafshëve në botë janë zhdukur.

Bëhet fjalë për madhësinë e popullatave të kafshëve. Studiuesit kanë parë se sa janë rritur ose pakësuar grupet e kafshëve në zona të ndryshme.

Studimi analizoi 35,803 popullata, që i përkasin 5,790 specieve të shpendëve, peshqve, gjitarëve, zvarranikëve dhe amfibëve.

Studiuesit përdorën metoda të ndryshme për t’i numëruar dhe ndjekur kafshët, përfshirë kamera në natyrë, analizimin e gjurmëve dhe jashtëqitjeve të kafshëve dhe vëzhgime nga ajri.

Një fakt pozitiv është se, gjysma e popullatave të studiuara ishin të qëndrueshme ose po rriteshin.

Raporti sjell disa raste konkrete suksesi. Numri i tigrave në natyrë është rritur me 70% që nga viti 2010, falë përpjekjeve të koordinuara për mbrojtjen e tyre.

Ka pasur gjithashtu rikthim të vidrave të detit në Amerikën e Veriut, elefantëve në Afrikën jugore, breshkave të gjelbra dhe peshkut ton të kuq të Atlantikut dhe Paqësorit.

Këshilltari kryesor shkencor i WWF-së, Mike Barrett tha se këto raste tregojnë se “ka arsye për shpresë”, edhe pse në shkallë globale popullatat e kafshëve në natyrë vazhdojnë të bien.

Peshku ton i kuq i Atlantikut është një peshk migrues që dikur ishte shumë i zakonshëm pranë brigjeve britanike.

Numri i tyre kishte rënë me 80% deri në vitin 2010 dhe specia ishte konsideruar në rrezik.

Më pas, masat e marra nga qeveritë dhe industria ndihmuan në rritjen e numrit të tyre.

Sot, sipas raportit, peshkimi i kësaj specieje nuk konsiderohet më në nivele të tepruara dhe toni i kuq është rikthyer në ujërat britanike, ku tani mund të shihet dhe të kapet sërish.

Edhe vidrat në Britani të Madhe ishin “në prag të zhdukjes”, por sot janë relativisht të zakonshme në vend.

Ndërkohë, kastorët dhe shqiponjat e detit me bisht të bardhë, të cilat ishin zhdukur në disa zona, janë rikthyer përmes programeve të rikthimit në natyrë.

Barrett tha se këto raste tregojnë se speciet mund të rikuperohen dhe të rikthehen në natyrë nëse zbatohen politikat, masat e duhura të mbrojtjes dhe ligjet e duhura.

Por, ai theksoi se këto janë raste pozitive brenda një tabloje të përgjithshme, që vazhdon të jetë negative.

Sipas raportit, disa nga shkaqet kryesore janë, ndryshimet klimatike, të shkaktuara kryesisht nga djegia e naftës, gazit dhe qymyrit; bujqësia, e cila është shkaku kryesor i humbjes së habitateve natyrore dhe sistemet financiare, që vazhdojnë të drejtojnë investime drejt aktiviteteve që dëmtojnë natyrën.

Raporti thekson se rikthimi i natyrës është jetik sepse ajo na siguron ushqim, ajër të pastër, ujë të freskët, ndihmon në rregullimin e klimës dhe siguron burime për prodhimin e ilaçeve.

Natyra është gjithashtu bazë për rreth gjysmën e ekonomisë botërore, me një vlerë të vlerësuar në rreth 58 trilionë dollarë në vitin 2023.

Barrett tha se humbja e biodiversitetit, pakësimi i larmisë së kafshëve, bimëve dhe organizmave në Tokë, tashmë konsiderohet gjerësisht një kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve.

WWF paralajmëron se nëse arrihet një pikë kritike negative, si shembja e shkëmbinjve koralorë të ujërave të ngrohta në botë, mund të jetë tepër vonë për t’i rikthyer ata.

Por, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në mënyrë pozitive.

Për shembull, kalimi nga nafta, gazi dhe qymyri drejt energjisë së pastër, si energjia diellore dhe automjetet elektrike, mund të krijojë një ndryshim që përshpejtohet vetë.

Sipas WWF-së, edhe sistemet e ushqimit dhe financave mund të orientohen në këtë drejtim.

Kjo do të kërkonte, ndër të tjera, bujqësi që mbron dhe përmirëson natyrën; mënyra më të qëndrueshme të ushqyerit; drejtimin e parave dhe investimeve larg aktiviteteve që dëmtojnë natyrën; më pak subvencione për aktivitetet bujqësore që dëmtojnë mjedisin dhe më pak mbështetje financiare për përdorimin e lëndëve djegëse fosile.

WWF thotë se qeveritë dhe kompanitë duhet të mendojnë më shumë për përfitimet afatgjata, dhe jo vetëm për fitimet e menjëhershme.

Gjithashtu, komunitetet vendase dhe popujt indigjenë, duhet të kenë të drejta ligjore dhe autoritet mbi tokat që menaxhojnë, ndërsa fermerët dhe punëtorët e industrisë së naftës, gazit dhe qymyrit, duhet të marrin mbështetje për të kaluar në profesione dhe aktivitete të tjera. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.