Abdixhiku: Identifikimi i tre intelektualëve, hap drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut, pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, të rrëmbyer dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Analizat e ADN-së kanë konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut u përkasin tre intelektualëve nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Në reagimin e tij, Abdixhiku ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke e cilësuar identifikimin si një moment të dhimbshëm, por njëkohësisht si hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së krimeve të luftës në Kosovë.
“Ky është një lajm i dhimbshëm për familjet e tyre, por edhe një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, ata u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm nga forcat serbe, ndërsa për 27 vjet, familjet e tyre pritën të dinin të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”, thuhet në deklaratën e LDK-së.
Abdixhiku është ndalur veçanërisht te figura e Idriz Rrecajt, duke kujtuar angazhimin e tij politik gjatë viteve të rezistencës.
Rrecaj ishte aktivist dhe një nga themeluesit e Degës së LDK-së në Skenderaj, ndërsa gjatë luftës ishte angazhuar edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Abdixhikut, identifikimi i tre të zhdukurve nuk përbën vetëm fundin e një pritjeje shumëvjeçare për familjet e tyre, por edhe një dëshmi të asaj që ka përjetuar Kosova gjatë luftës.
“Identifikimi i tyre nuk është vetëm fundi i një pritjeje të gjatë familjare. Është edhe një dëshmi tjetër e asaj që Kosova ka përjetuar”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka kërkuar që zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimi i krimeve të luftës të vazhdojnë të jenë prioritet për institucionet e Kosovës.
“E vërteta dhe drejtësia janë borxhi që Republika ua ka atyre që u flijuan për të”, ka shkruar Abdixhiku.
Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu kishin figuruar si të zhdukur për më shumë se 27 vjet, deri në konfirmimin e identitetit të tyre përmes analizave të ADN-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.