Akademia Dukagjini zhvilloi ceremoninë përmbyllëse të nismës “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie”
Akademia Dukagjini zhvilloi ceremoninë përmbyllëse të nismës “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie” me pjesëmarrjen e mësimdhënësve, drejtuesve të institucioneve arsimore dhe miq e dashamirës të arsimit.
Akademia Dukagjini zhvilloi ceremoninë përmbyllëse të nismës “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe nxënie” me pjesëmarrjen e mësimdhënësve, drejtuesve të institucioneve arsimore dhe miq e dashamirës të arsimit.
Në njoftim bëhet e ditur se nisma synon të ngrejë cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit, duke krijuar hapësira ku mësuesit mësojnë nga njëri-tjetri përmes arritjeve të tyre, ndajnë përvojat dhe ndërtojnë praktika që sjellin ndryshim të qëndrueshëm në klasë.
Ceremonia filloi me performancë muzikore nga nxënës dhe vijoi më pas me fjalët përshëndetëse nga Blerim Muhaxhiri, Drejtor Ekzekutiv, një dokumentar për ecurinë e nismës, dy mësimdhënës që ndanë me të pranishmit mbresat e tyre nga përfshirja në këtë nismë dhe më pas profesor Bardhyl Musai, udhëheqës i projektit, mbajti fjalën kryesore.
Dorëzimi i certifikatave shënoi edhe fundin e këtij eventi të veçantë.
Pas një rrugëtimi pesëmujor, kjo nismë, u shndërrua në një manifestim të energjisë krijuese të mësuesve nga çdo skaj i Kosovës, nga qytetet e mëdha e deri në fshatrat më të largët, që sollën modele origjinale, ide të freskëta, qasje frymëzuese.
Nisma shënon një faqe të re në historinë e arsimit të Kosovës, pasi mësuesit nga përfitues përmes trajnimeve të ndryshme, u shndërruan në kontributorë.
Nisma dëshmoi qartë se potenciali ekziston, energjia ekziston, dhe, kur krijohet hapësira e duhur, rezultatet nuk mungojnë.
Tutje thuhet se Nisma krijoi një kulturë të re – kulturë bashkëndarjeje, bashkëpunimi dhe krenarie profesionale.
Arsimi nuk zhvillohet në izolim – ai përparon përmes bashkëpunimit, reflektimit dhe shkëmbimit të përvojave.
Një ide e vetme e ndarë mund të shndërrohet në dhjetëra e qindra orë mësimore më të suksesshme në klasa të ndryshme.
“Seancat e zhvilluara konfirmuan se zhvillimi profesional dhe përmirësimi i cilësisë në arsim avancojnë vetëm atëherë kur krijohen hapësira për të mësuar nga njëri-tjetri. Nisma aktualizoi shndërrimin e përvojave individuale në kapital kolektiv dijesh, duke fuqizuar kështu komunitetin profesional dhe duke rritur vetëdijen për përmirësim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.
Praktikat e prezantuara do të botohen dhe do u shpërndahen të gjithë mësuesve të Kosovës. Për më tepër, përmes një kodi QR mund të lexohet prezantimi nga telefoni ose skaner.
Nisma do të zhvillohet e përvitshme duke u shndërruar në traditë të qëndrueshme, përmes së cilës, mësuesit mësojnë nga njëri-tjetri, frymëzojnë njëri-tjetrin, mbështesin njëri-tjetrin dhe rriten së bashku. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.