☀️
Tiranë 23°C · Kthjellët 09 July 2026
S&P 500 7,538 ▲0.74%
DOW 52,458 ▲0.21%
NASDAQ 26,179 ▲1.19%
NAFTA 71.74 ▼2.42%
ARI 4,135 ▲1.28%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
₿ CRYPTO
BTC $63,230 ▲ +1.68% ETH $1,751 ▲ +0.79% XRP $1.0938 ▲ +0.55% SOL $78.0900 ▲ +1.25%
S&P 500 7,538 ▲0.74 % DOW 52,458 ▲0.21 % NASDAQ 26,179 ▲1.19 % NAFTA 71.74 ▼2.42 % ARI 4,135 ▲1.28 % S&P 500 7,538 ▲0.74 % DOW 52,458 ▲0.21 % NASDAQ 26,179 ▲1.19 % NAFTA 71.74 ▼2.42 % ARI 4,135 ▲1.28 %
EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178 EUR/USD 1.1414 EUR/GBP 0.8534 EUR/CHF 0.9230 EUR/ALL 93.8205 EUR/MKD 61.6522 EUR/RSD 117.3424 EUR/TRY 53.5222 EUR/JPY 185.52 EUR/CAD 1.6178
09 Jul 2026
Breaking
Opinion

Albin Kurti dhe operacioni “Zemërimi i Akilit” në revolucionin flamingo të Tiranës

Nga Ylli Pata

Afrim Gashi, është kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Ai, sot në mesditë ka bërë një deklaratë të fortë mbi të ashtuquajturin incident në pikën kufitare të Qafë Thanës.

Gashi, tha sot për mediat e vendit të tij se “Si Kryetar i Kuvendit, shpreh shqetësimin për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës.

Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit”.

Deklarata e Gashit, erdhi pas qëndrimit të një deputeti shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Bedri Qoku, i cili e akuzoi qeverinë shqiptare se ka ndaluar ata për të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë në Tiranë, duke e konsideruar një shkelje e lirisë së shprehjes.

Në fakt, ngjarja në Qafë Thanë ishte krejt ndryshe. Deputeti i VLEN, Bekim Qoku, kolegu i tij Adnan Azizi, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Shkupit, Hasim Murtezan, po vinin drejt Tiranës, së bashku me një person tjetër. Të cilit, ndërsa po kontrollonin pasaportat, ju tha se ka probleme me hyrjen në Shqipëri, ndërsa tre zyrtarët nuk kishin asnjë problem. Por ata nuk pranuan, duke e konsideruar këtë si akt të rëndë, u kthyen në Shkup dhe sulmuan qeverinë e Edi Ramës.

Nafie Selmani, një gazetare dhe aktiviste e njohur për çështjen e identitetit shqiptar në Maqedoni, pyet publikisht në një shkrim të saj zyrtarët e Vlen: “Qoku dhe Azizi, dilni dhe tregoni kush ishte personi i katërt që udhëtoi me ju, e për të cilin e krijuat gjithë atë hallakamë dje? Tregoni gjithashtu cili ishte qëllimi i udhëtimit tuaj të djeshëm në Shqipëri. Ishte udhëtim privat apo zyrtar?

Dhe, meqë u mburrët primitivisht me posedimin e pasaportës diplomatike, duhet ta dini se ajo nuk është privilegj për përdorim sipas dëshirës. Pasaporta diplomatike është e destinuar për kryerjen e detyrave zyrtare dhe përdorimi i saj rregullohet me ligjin, aktet nënligjore dhe procedurat përkatëse.

Nëse udhëtimi ka qenë privat me çfarë baze është përdorur pasaporta diplomatike? Nëse ka qenë zyrtar, atëherë qytetarët kanë të drejtë të dinë se cili ishte misioni zyrtar?”.

Ndërkaq, Nafie Selmani nuk ndalet me kaq, por bën një paralelizëm të fortë në shkrimin e botuar në faqen e saj në rrjetet sociale.

“Qoku, nëse ndalimi për shkak të protestave qenka ‘goditje ndaj lirisë së shprehjes’, atëherë ku ishte zëri yt prej deputeti kur rreth 40 studentë të Universitetit të Tiranës u ndaluan në kufi dhe nuk u lejuan të hynin në Maqedoninë e Veriut për t’u solidarizuar me Lëvizjen Studentore?

Atëherë pse nuk e quajtët edhe atë goditje ndaj lirisë së shprehjes? Apo parimet vlejnë vetëm kur ju prekin ju?

Qoku, je ngatërruar keq me parimin e lirisë së shprehjes, e edhe më keq me rolin prej deputeti.

Dorëhiqu se u bëre horr!”.

Reagimet vijonë pa fund. Skënder Rexhepi-Zejd, kryetari i lëvizjes Populli, i cili dikur ka qenë me koalicionin Vlen por që u largua herët, shkruan në rrjetin e tij, duke publikuar një foto të tijën nga Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, që tregon një simbolikë të fortë për mjedisin ku flitet.

“Shqipëria jonë e bukur është shumë afër…veç jo për secalin”, shkruan Zejd, duke përdorur sërish një simbolikë të fortë që është akuzë për ish-kolegët e tij.

Gjithë kjo zallamahi që po komentohet me mjaft kolorit nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ngjan jo aq shumë e njohur për ne këtej, se përse e gjithë kjo përzierje e një partie atje në protestat për të rrëzuar Edi Ramën.

Një pikëpyetje, që duket e gjen përgjigjen, thjesht duke ndjekur disa qëndrime të personit kyç të Qafë Thanës; Bedri Qokun.

I cili nuk është aspak një politikan i dalë nga partitë shqiptare që janë aleatë të afërt të partive maqedonase.

Ai ka qenë kordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njeri mjaft i afërt me Albin Kurtin. i cili është një nga arkitektët, mbështetësit dhe shtytësit e procesit që tentoi të poshtërojë e godasë politikisht Ali Ahmetin dhe klasën politike të dalë nga lufta e vitit 2001 në Maqedoni, e cila solli Marrëveshjen e Ohrit. E cila garanton që pushteti në vend do të ndahet gjithmonë nga forcat më të votuara të dy grupeve etnike: maqedonasit e shqiptarët, gjuha shqipe dhe simbolet kombëtare mbrohen me ligj.

Kurti nuk ishte në realitet kreu i kësaj përpjekje, pasi ideatori ishte Kristian Mickovskin, kreu i partisë nacionaliste VRMO-DPMNE. i cili doli në zgjedhjet parlamentare me parullën: “Maqedonia e maqedonëve”.

Një motër e asaj që shikojmë në pankartat e flamingove të importuar: „Shqipëria e shqiptarëve”.

Mickovski, në momentin e largimit nga posti i kryeministrit të Zoran Zaevit, lider i socialdemokratëve, por i larguar edhe me një dorë perëndimore të fortë, vendosën që nuk duhet të ndahet pushteti me Ali Ahmetin.

Për të fituar ata vendosën të përçajnë dy partitë e mëdha që drejtonin deri atëherë: LSDM-në(Lidhjen socialdemokrate) me klanin e fortë të Zoran Zaevit dhe klanit të tij nepotik të Strumicës dhe BDI-në me Zekerija Mexhidit, i cili ka që në 2001 pa ndalim kryetar i pjesës shqiptare të Shkupit që me BDI-në e tani me VRMO-në.

Mexhidi, së bashku me partinë Besa, një parti e ardhur nga Islami politik dhe qendrat mediatike e propagandiste hapur pro Erdoganit dhe antisemite, vendosën të bëhen aleate të çiftit Mickovski-Zaev.

Mickovski, deklaroi që para zgjedhjeve se do të qeveriste jo me partinë që do të votonin shqiptarët si të parët, por me koalicionin e të ikurve. Një shkelmim i hapur i Marrëveshjes së Ohrit, shoqëruar natyrisht me një fushatë të shfrenuar baltosje ndaj Ali Ahmetit, UÇK-së e simboleve shqiptare.

Megjithatë, Ali Ahmeti, i cili është një lojtar niveli të lartë jo thjesht në Maqedoninë e Veriut, por edhe në pjesët ku jetojnë shqiptarë në Ballkan, nuk mundej dot thjesht duke i marrë ca ish-argatë të tij. Duhej një „Gjon Pagëzor” patriotik që të bekonte me bojna kuqezi ikanakët e BDI-së dhe neotomanët e Besës. Ku pagëzues ishte Albin Kurti, Vetëvendosja e të cilit, nuk është gjë veç një çorbë e gatuar me ikanakët e LDK-së, ata të partive që dolën nga UÇK, fanatikët islamikë që predikojnë fanatizmin në xhamitë e Kosovës, shajnë me fjalë të turpshme Nënë Terezën dhe duan të përdhosin Heroin Kombëtar dhe simbolet e tjera kombëtare. Por në qendër rrinte vetë me arqiomarksistët e tij të majtë, me ëndrrën se me revolucionin permanent që sajoi në Kosovë, me ndihmën e qarqeve të majta dhe jo miqësore me shqiptarët, sajuan kryqëzatën ndaj UÇK-së dhe emrave të saj që u kyçën në politike.

Këtë ide, Kurti e diskuton çdo vit në Athinë ku rri rregullisht tre javë, pranë detit, në një simpozium të majtësh radikalë të rënë nga fiku, filozofë e politikanë, përgjithësisht sllavë e grekë, të cilët në politikat e ligjëratat e tyre ndër vite shqiptarët i kanë nënçmuar gjithmonë. Këtë simpozium e drejton një i rënë nga fiku par exellanxe-Giorgios Papandreu, djali i mitikut Andrea, themeluesit të PASOK, që grekët e larguan nga pushteti në krizën e tmerrshme të 2010-s.

Tema e simboziumit të të rënëve nga fiku që si star kanë Albin Kurtin për këtë vit ishte: „Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës”.

Kush është Kasandra, në rastin tonë mund të vijë spontane pyetja? E fap, na vjen imazhi i një të tille që paralajmëronte djegien e Trojës në postime në Facebook, të shkruar nga spinë të lëçitur.

E Akili, që u zemërua se i vranë Patroklin e dashur? Edhe kjo na vjen bashkë me sirenat apokaliptike për dosje të tmerrshme në SHBA e mos mbajtjen e samitit të NATO-s në Tiranë që mbushën panelet me ditë me radhë.

Përtej parodive me personazhet e Homerit, Albin Kurti e ka konsideruar jetike ngjizjen e Vetëvendosjes në Shqipëri si “koloni greke”, diku pranë ngujimeve antike, siç tentoi në 2021 në Lezhë e Gjirokastër. Ku kishte padyshim OK politik të Sali Berishës që e ka mbrojtur politikisht, sidomos të Ilir Metës që e ka mbështetur në shumë mënyra, e grupimeve fanatike islamike e fetare.

Atë ngujim kolonie ja ndaloi Edi Rama, të cilin e shikon rrezik për pushtetin edhe në Kosovë. Ndaj thirri në ndihmë të majtën radikale shumë të fortë të Berni Sanders dhe anti-trumpistëve majtistë e ambjentalistë të Europës. Që me shumë gjasa ja kanë koordinuar radikalët e rënë nga fiku që nuk ua vërshellen kush, në Eladhën, ku pinjolli i dinastisë së kretanëve po kthehet në një Erdogan, siç thotë Varufaqisi, që e ka idhull „Patrokli ynë i Flamingove”, të cilin mezi pret Akilalbini ta vrasë Edi Rama, që të zemërohet pastaj e të vijë me karrocën e tij, siç erdhën kalorësit e Vlenit në Qafthanë. Epope o qerrata…

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.