Andy Burnham zyrtarizohet si udhëheqës i Partisë Laburiste, hap i fundit para marrjes së detyrës së kryeministrit
Andy Burnham do të zyrtarizohet si udhëheqës i Partisë Laburiste këtë të premte, duke kaluar pengesën e fundit para se të marrë detyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar javën e ardhshme. Ai ishte kandidati i vetëm në garë dhe, deri të enjten në mbrëmje, kishte siguruar nominimet e 379 prej 403 deputetëve laburistë në Dhomën e Komunave.
Raporton Associated Press, Burnham, ish-bashkiak i Greater Manchester, ka qenë për javë të tëra ‘kryeministër në pritje’, por ka dhënë pak detaje për prioritetet e qeverisjes. Pas fitimit të një vendi në Parlament në zgjedhjen speciale një muaj më parë, ai premtoi të ndërtojë një politikë të bazuar në unitet dhe shpresë dhe një ekonomi që shpërndan rritjen në mënyrë më të barabartë. Deri tani ai ka zhvilluar pak konferenca për shtyp dhe ka dhënë pak intervista, ndaj mbetet relativisht i panjohur jashtë Manchesterit.
Stili i tij i drejtimit shihet më i relaksuar se ai i Keir Starmer dhe ai vlerësohet si një nga komunikuesit më të mirë të partisë, por përballet me të njëjtat probleme: një ekonomi e dobët, presion të rritur të kostos së jetesës si pasojë e luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, si dhe shërbime publike të tejngarkuara. Zyra e tij thotë se në fjalimin e parë si udhëheqës do të paraqesë disa prioritete kryesore dhe do të premtojë guximin për të rregulluar çështjet e mëdha që politika i ka neglizhuar.
Ai pritet të vërë theksin te rilindja ekonomike, rritja e kontrollit publik ndaj sektorëve kyç dhe krijimi i vendeve të punës në industri moderne, duke argumentuar se Britania mori drejtime të gabuara në vitet 1980, kur pushteti politik u centralizua dhe fuqia ekonomike u privatizua. Në një video në rrjetet sociale, Burnham përmendi gjithashtu si prioritet përmirësimin e qasjes në kujdesin social për të moshuarit dhe personat me nevoja.
Keir Starmer njoftoi dorëheqjen pas dy vitesh në detyrë, periudhë që u pasua nga gabime dhe vendime që dobësuan pozicionin e tij brenda partisë dhe tek votuesit. Ai do të mbetet kryeministër deri të hënën, kur do t’i dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen Mbretit Charles III; më pas mbreti do t’i kërkojë Burnhamit të formojë qeverinë. Sistemi parlamentar britanik lejon ndryshime liderësh pa zgjedhje të përgjithshme, ndërsa zgjedhjet e ardhshme kombëtare nuk duhet të mbahen para vitit 2029. Burnham do të jetë i shtati në krye që nga viti 2016, sipas Associated Press.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.