Angelina Jolie i kundërpërgjigjet Brad Pitt në gjykatë: “Po shtrembëron faktet”

Beteja ligjore mes Angelina Jolie dhe Brad Pitt për pronën e përbashkët Château Miraval vazhdon të marrë kthesa të reja.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga People, Jolie i ka kërkuar gjykatës të mos e detyrojë të dorëzojë deklaratat e saj tatimore dhe dokumente të tjera financiare për periudhën 2017–2019, siç kërkohet nga ish-bashkëshorti i saj.
Brad Pitt pretendon se gjendja financiare e aktores është bërë pjesë qendrore e padisë, duke argumentuar se ajo ka deklaruar se kishte nevojë të shiste pjesën e saj në kantinën franceze Château Miraval për të fituar pavarësi financiare.
Megjithatë, avokatët e Jolie kundërshtojnë këtë interpretim, duke theksuar se aktorja nuk ka pretenduar kurrë se ishte në vështirësi ekonomike.
“Çështja nuk është nëse Angelina kishte nevojë për para. Çështja është se ajo po përpiqej të shkëpuste jetën dhe financat e saj nga ish-bashkëshorti, të cilin e ka cilësuar kontrollues dhe abuzues,” thuhet në dokumentet e paraqitura në gjykatë.
Sipas ekipit ligjor të aktores, kërkesa e Pitt për të marrë dokumente financiare të viteve 2017–2019 përbën një shkelje serioze të privatësisë së saj. Ata shtojnë se Jolie ka dorëzuar tashmë dokumentacionin financiar për vitet 2020 dhe 2021, ndonëse, sipas tyre, nuk kishte detyrim ligjor ta bënte.
Nga ana tjetër, avokatët e Brad Pitt këmbëngulin se Jolie e ka vendosur vetë gjendjen e saj financiare në qendër të procesit dhe, për këtë arsye, dokumentet janë të domosdoshme për shqyrtimin e çështjes.
Mosmarrëveshja mes ish-çiftit lidhet me shitjen nga Jolie të pjesës së saj në Château Miraval në vitin 2021. Pitt pretendon se shitja është bërë pa miratimin e tij, duke shkelur një marrëveshje të mëparshme mes tyre.
Edhe pse Angelina Jolie dhe Brad Pitt finalizuan divorcin në fund të vitit 2024, beteja ligjore për pronën luksoze në Francë vazhdon ende.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.