Anomalia e “Demave të kuq”. Partizanit nuk i duhet fusha, fiton vetëm jashtë
Partizani ka siguruar 90% të pikëve të tij në transfertë, pa asnjë fitore në shtëpi në pesë ndeshje.
Partizani po përjeton një sezon me shumë kontraste në Kategorinë Superiore. Pas 11 javëve të para, të kuqtë renditen në vendin e 10-të me vetëm 10 pikë, por ajo që bie më shumë në sy është shpërndarja e tyre mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë. Një situatë që mund të konsiderohet një anomali statistikore, pasi skuadra kryeqytetase po dështon të marrë rezultate në fushën e saj, ndërsa pjesën dërrmuese të pikëve e ka siguruar larg Tiranës.
Brenda – Në pesë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, Partizani nuk ka regjistruar asnjë fitore. Bilanci është një barazim dhe katër humbje, duke grumbulluar vetëm një pikë nga 15 të mundshme. Për më tepër, të kuqtë kanë shënuar vetëm katër gola dhe kanë pësuar 11, me një diferencë negative prej shtatë golash. Mesatarisht, skuadra shënon 0.8 gola dhe pëson 2.2 për ndeshje. Këto shifra e bëjnë Partizanin skuadrën me ecurinë më të dobët në shtëpi në këtë kampionat.
Jashtë – Në anën tjetër, panorama ndryshon ndjeshëm kur bëhet fjalë për transfertat. Në gjashtë takime jashtë fushe, Partizani ka marrë tri fitore dhe ka pësuar tri humbje, pa regjistruar asnjë barazim. Kështu, të kuqtë kanë grumbulluar nëntë pikë nga 18 të mundshme, me tetë gola të shënuar dhe 10 të pësuar. Mesatarja e pikëve në transfertë arrin në 1.5 për ndeshje, një shifër dukshëm më e lartë se ajo në shtëpi. Llogaritë – Në fakt, diferenca është edhe më domethënëse po të shihet shpërndarja e pikëve. Partizani ka siguruar plot 90% të totalit të pikëve në transfertë dhe vetëm 10% në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi. Pra, nga 10 pikët e grumbulluara në kampionat, vetëm njëra është marrë para tifozëve të vet.
Kjo përmbysje e zakonshme të pritshmërive krijon një kontrast të fortë. Në shtëpi, ku pritet të ketë më shumë iniciativë dhe të marrë rezultate pozitive, Partizani është treguar i brishtë, sidomos në aspektin mbrojtës. Një mesatare prej 2.2 golash të pësuar për ndeshje është tregka arritur të jetë më efikas në marrjen e rezultateve. Tri fitoret jashtë fushe kanë bërë që skuadra të mos ketë një bilanc edhe më të dobët në renditje. Madje, në këtë aspekt, të kuqtë kanë grumbulluar më shumë pikë sesa në shtëpi, pavarësisht se kanë luajtur një ndeshje më shumë në transfertë. Anomalia bëhet edhe më e dukshme kur krahasohen mesataret. Me 0.2 pikë për ndeshje në shtëpi kundrejt 1.5 pikëve në transfertë.
Një diferencë prej 1.3 pikësh për takim, që tregon se Partizani po përjeton dy realitete krejt të ndryshme brenda të njëjtit kampionat. Për të kuqtë, ky është një problem që kërkon zgjidhje, pasi nuk mund të mbështeten vazhdimisht te rezultatet në transfertë për të kompensuar pikët e humbura në shtëpi. Rikthimi i sigurisë në ndeshjet si pritës dhe përmirësimi i bilancit mbrojtës janë dy nga sfidat kryesore për vazhdimësinë e sezonit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.