KATEGORIA E TRETË/ Turbina dhe Dinamo B në krye, gola e surpriza në javën e 3-të
Java e 3-të e Kategorisë së Tretë solli gola dhe surpriza, me Turbinën dhe Dinamo B në krye të grupeve të tyre.
Java e tretë e Kategorisë së Tretë ka sjellë rezultate interesante në të dyja grupet, me fitore të thella, përmbysje dhe ndryshime në renditje.
Në Grupin A, Dinamo B dhe Bulqiza vazhdojnë të kryesojnë me pikë të plota, ndërsa në Grupin B Turbina konfirmohet si skuadra më e fortë e fillimit të sezonit, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi. Në Grupin A, Bulqiza ishte protagonistja e një prej rezultateve më të thella të javës, duke mposhtur Kukësin B me shifrat 4-0. Një fitore bindëse për skuadrën vendase, që konfirmon ambiciet për të qenë në garën e kreut.
Ndërkohë, Dinamo B mori një triumf me përmbysje në transfertë, ku mundi Adriatikun me rezultatin 2-1 dhe duke ruajtur kreun me pikë të plota. Edhe Miloti vazhdon me ritëm perfekt, pasi fitoi 2-0 në transfertë ndaj Korabit B. Milotit ka dy ndeshje të luajtura dhe gjashtë pikë, pa pësuar ende gol. Një spektakël golash u regjistrua në përballjen Tirana B-North United, ku miqtë triumfuan 4-3, edhe pse ishin në disavantazh të 3 golave.
KF Shkodra siguroi tri pikë ndaj Mirditës, duke fituar 3-1. Në renditje, Dinamo B kryeson me gjashtë pikë dhe golavarazh 9-1, po aq sa Bulqiza, që renditet e dyta. Kukësi B dhe Miloti kanë gjithashtu gjashtë pikë, por verilindorët kanë zhvilluar një ndeshje më shumë. Miloti do të ketë mundësinë të barazojë numrin e ndeshjeve me rivalët më 12 nëntor, kur do të luajë takimin e prapambetur me Bulqizën.
Në Grupin B, Turbina është skuadra që po bën diferencën në këtë start kampionati. Fitorja 3-1 ndaj Besës Elite ishte e treta radhazi për cërrikasit, që kryesojnë me 9 pikë dhe golavarazh 9-2. Përmeti vazhdon të ndjekë kreun, pasi fitoi 2-1 në transfertë ndaj Osumit dhe mban vendin e dytë me 7 pikë.
Një fitore të rëndësishme mori edhe Sopoti B, që mundi Egnatian B me rezultatin 1-0, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve. Kinostudio dhuroi spektaklin e javës, duke shkatërruar Gramozin me rezultatin 7-1. Një triumf që e ngjit në vendin e katërt, me 5 pikë.
Shkumbini fitoi 3-1 në transfertë ndaj Lefter Millos, ndërsa Skrapari siguroi tri pikë ndaj Tepelenës, duke triumfuar 1-0. Pas tri javëve, Turbina dhe Përmeti duken si skuadrat më të konsoliduara, por diferencat në grup mbeten të vogla dhe gara për vendet e para pritet të jetë e fortë.

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.