Autorët me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës: Sistemi i të drejtës së autorit nuk funksionon si duhet
E drejta e autorit vazhdon të mbetet një problem, që për krijues e artistë të ndryshëm nuk ka sa duhet vëmendjen e institucioneve. Autorë të fushave të ndryshme kritikojnë Ministrinë e Kulturës për çfarë ndodh me moszbatim e ligjit për të drejtën e autorit apo dhe mungesën e transparencës për shpërndarjen e drejtë të të ardhurave, që burojnë nga veprat e tyre. Sipas tyre, sistemi aktual nuk mbron siç duhet interesat e krijuesve dhe nuk përmbush standardet e kërkuara. Bashkim Zahaj thotë se skenografët nuk njihen si autorë dhe nuk përfitojnë të drejtat e autorit, çka përbën sipas tij një padrejtësi në sistem. “Ne si skenografë, nuk na njihet fare e drejta e autorit në mënyrë të drejtpërdrejtë, gjë që është një gafë. Hartuesit e ligjit në atë kohë, kur u mblodhën, ishin kryesisht shkrimtarë dhe muzikantë. Ata harruan, ose nuk e kishin në kulturën e tyre profesionale, që të drejtën e autorit e gëzojmë edhe ne.
Ky është një problem i madh dhe ne, si skenografë, kemi mbetur pa të drejtën e autorit”, thotë skenografi Zahaj. Edhe kompozitori Miron Kotani shprehet se zbatimi i të drejtës së autorit nuk ka gjetur zgjidhje. “Zbatimi i të drejtës së autorit tek ne vazhdon të jetë një problematikë. Po të kishte vullnet politik, kjo problematikë do të zgjidhej brenda 24 orësh, siç jam shprehur edhe më parë. Këtë ua kam thënë çdo ministri Kulture që ka ardhur në atë detyrë. Nuk ka vullnet politik, nuk duan ta zgjidhin dhe e lënë situatën ashtu siç është. Kjo është shumë e rëndë, kur një kompozitor që ka njëzet muzika filmash, simfoni, dhjetra këngë dhe rreth 300 këngë për fëmijë, merr të ardhura prej vetëm 10 mijë lekësh të reja në vit nga e drejta e autorit”, thotë Kotani kompozitor.
Sistemi në vend për të drejtën e autorit
Kompozitori Miron Kotani kritikon mungesën e transparencës dhe mënyrën e padrejtë, sipas tij të shpërndarjes së të ardhurave. Sipas Kotanit, kompozitorët nuk përfitojnë siç duhet nga e drejta e autorit. “Ministria e Kulturës duhet të zbatojë ligjin. Ligji për të drejtën e autorit nuk zbatohet në vendin tonë. Sistemi nuk funksionon siç duhet. Nuk grumbullohen si duhet të ardhurat nga e drejta e autorit, por edhe ai fond që shpërndahet, ndahet në mënyrë klienteliste dhe jo mbi bazën e vlerave dhe kontributit, sipas numrit të veprave që ka një kompozitor në krahasim me një tjetër. Gjithashtu, nuk ka pse të qëndrojë në një agjenci për të drejtën e autorit një president që të jetë aty i përjetshëm. Duhet të ketë rotacion. Duhet të funksionojnë bordet. Mbledhje nuk ka, transparencë nuk ka, ndërsa ministria ka detyrimin ligjor të sigurojë transparencën. Kompozitorët nuk përfitojnë nga e drejta e autorit në Shqipëri, ndonëse kjo është një nga kriteret bazë për integrimin në Bashkimin Europian. Nuk funksionon asnjë hallkë e sistemit të të drejtës së autorit. Ne tani presim të marrim të ardhurat për vitin 2025”, vijon më tej Kotani. Reagimi i kompozitorit Kotani për të drejtën e autorit është në vijim dhe të atyre më parë, ku ka sjellë në vëmendje probleme në fushën e artit dhe kulturës.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.