Berisha: Sistemi mund t’i shtyjë punëdhënësit të mos punësojnë vajza të reja
Mënyra se si janë ndarë përgjegjësitë mes shtetit, punëdhënësit dhe punëtorit mund të krijojë situata në të cilat gratë e reja penalizohen në tregun e punës, sipas ekonomistes Brikena Berisha.
Në podcastin “Rrugëtimi”, Berisha foli për barrën që mund t’i bjerë një biznesi të vogël në rastet e lehonisë, lëndimit apo mungesës së zgjatur të një punëtori.
Ajo theksoi se sektori privat nuk përbëhet vetëm nga korporatat e mëdha, por edhe nga ndërmarrës me vetëm disa punëtorë.
“Kur ti i thu: ke me marrë një punëtor edhe çka do që bën, nëse lëndohet, nëse ka një aksident, nëse shkon në leje të lehonisë… Një punëdhënës, sepse mos e perceptoni sektorin privat si pronarët e korporatave. Nuk janë ata sektori privat, ata i numëron në gishta sa janë”, tha Berisha.
Ajo kërkoi që në diskutimin për përgjegjësitë e punëdhënësit të merren parasysh veçanërisht bizneset e vogla.
“Por numëroni një ndërmarrës që ka fillu një kompani me vullnet të mirë, me dy deri në pesë punëtorë, që në shumë raste edhe vetë i luan disa role, që prej drejtorit e deri te edhe në atë aspekt. Domethënë, nuk mundesh me imponua me kalu diçka më shumë sesa që mundet me garantu për të ardhmen”, deklaroi ajo.
Sipas Berishës, një sistem që ia lë një pjesë të madhe të barrës punëdhënësit mund të krijojë pasoja të drejtpërdrejta për gratë e reja gjatë rekrutimit.
“Kështu që, në këtë rast, në gjasat reale ka me vendos mos me punësu vajza të reja për shkak të mundësisë së formimit të familjes, e që është një penalizim shumë i madh”, tha Berisha.
Deklarata e saj erdhi në kontekstin e argumentit për ndryshimin e mënyrës së financimit të mbrojtjes sociale dhe lejes së lehonisë, në mënyrë që barra të mos mbetet vetëm mbi punëtorin apo punëdhënësin.
Berisha gjatë intervistës propozoi krijimin e një Fondi të Sigurimeve Shoqërore, i cili, sipas saj, do të mund të merrte përsipër edhe financimin e lejes së lehonisë.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni në episodin e tetë të podcastit “Rrugëtimi”. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.