BM – Starmer premton “mbështetje të plotë” për pasardhësin e mundshëm Andy Burnham
LONDËR, 15 korrik /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik në largim, Keir Starmer ka premtuar se do t’i japë “mbështetjen e tij të plotë” pasardhësit të mundshëm në krye të qeverisë, Andy Burnham, në seancën tradicionale të pyetjeve ndaj kryeministrit në Parlament.
Starmer tha se do ta ndihmojë Burnham privatisht, vetëm nëse i kërkohet, dhe jo publikisht pa qenë i ftuar.
Në fjalimin e fundit në Dhomën e Komunave, Starmer tha se ishte krenar që po e linte vendin në gjendje më të mirë sesa e gjeti – ndërsa në sallë ishin bashkëshortja e tij Victoria dhe dy fëmijët e tyre.
I pyetur nëse kishte ndonjë këshillë për Burnham, Starmer u përgjigj: “Do t’i jap mbështetjen time të plotë pasardhësit tim”.
Ai shtoi se dëshiron që qeveria laburiste të ketë sukses dhe se mbështetja e tij do të jetë vetëm në prapaskenë, nëse kërkohet.
Andy Burnham, ish-kryebashkiaku i Mançesterit të Madh, praktikisht e ka siguruar tashmë postin e kryeministrit, pasi mori mbështetjen e 369 nga 403 deputetët laburistë.
Sipas rregullave të Partisë Laburiste, një kandidat ka nevojë për mbështetjen e 81 deputetëve për të hyrë në garë, si rezultat Burnham pritet të shpallet pa një konkurrencë reale.
Starmer pritet të largohet nga Downing Street të hënën, duke i hapur rrugën Burnham.
Në ditët e fundit në detyrë, Starmer ka theksuar trashëgiminë e tij politike, veçanërisht mbështetjen për Ukrainën dhe fushatat e brendshme si Ligji Hillsborough (një nismë për drejtësi dhe përgjegjësi pas tragjedisë së stadiumit Hillsborough).
Ai deklaroi se gjatë mandatit të tij:
- e riorganizoi Partinë Laburiste dhe e largoi antisemitizmin nga partia;
- e riktheu partinë në qendër të vëmendjes së elektoratit dhe fitoi një shumicë të madhe në zgjedhjet e përgjithshme;
- stabilizoi ekonominë, rriti investimet në shërbimet publike, forcoi mbrojtjen dhe përmirësoi imazhin ndërkombëtar të Britanisë.
Kryetari i Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, e falënderoi Starmer për shërbimin publik dhe udhëheqjen ndërkombëtare, veçanërisht për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Starmer përsëriti se Britania e Madhe duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.