Brad Pitt në telashe ligjore, paditet për markën e kujdesit ndaj lëkurës

Brad Pitt, është përfshirë në një betejë ligjore të pazakontë pasi kompania e produkteve të bukurisë për meshkuj “Beau D.” e ka paditur për shkelje të markës tregtare dhe konkurrencë të pandershme.
Sipas dokumenteve ligjore, “Beau D.”, e cila regjistroi markën e saj në vitin 2020, pretendon se kompania e kujdesit ndaj lëkurës e Pitt ndryshoi emrin nga “Le Domaine” në “Beau Domaine” gjatë vitit 2025, duke krijuar konfuzion tek konsumatorët për shkak të ngjashmërisë së madhe mes dy emrave.
Brad Pitt lançoi linjën e tij të kujdesit ndaj lëkurës në vitin 2022 në bashkëpunim me familjen franceze Perrin, e njohur për menaxhimin e vreshtit Château Miraval, ku aktori zotëron 50 për qind të aksioneve. Produktet e “Beau Domaine” përmbajnë një përbërës të patentuar të nxjerrë nga varietetet e rrushit Grenache, Syrah dhe Mourvèdre, të cilat pretendohet se kanë veti kundër plakjes.
Kompania paditëse kërkon 75 mijë dollarë dëmshpërblim, si dhe një urdhër gjykate që do ta ndalonte përdorimin e emrit “Beau Domaine” në aktivitetet e ardhshme tregtare.
Përveç akuzave për shkelje të markës tregtare dhe konkurrencë të pandershme, “Beau D.” e akuzon kompaninë e Pitt edhe për “false designation of origin”, një shkelje që lidhet me krijimin e konfuzionit tek konsumatorët lidhur me origjinën ose prodhuesin e një produkti.
Themeluesi i kompanisë, Brandon Palas, deklaroi për Air Mail se kishte tentuar tri herë ta zgjidhte çështjen në mënyrë private.
“Nuk bëhet fjalë për publicitet apo ndëshkim. Bëhet fjalë për mbrojtjen e asaj që kemi ndërtuar ndër vite dhe për të siguruar që markat e pavarura të kenë mundësi të zhvillohen pa u zbehur nga emra më të mëdhenj”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Pitt ka theksuar më herët se nuk dëshiron që marka e tij të perceptohet si një biznes i lidhur me famën e tij personale.
“Nuk jam fytyra e kësaj linje. Nuk dua të shes diçka bazuar te emri im. Bëhet fjalë për tokën, shkencën dhe njerëzit që qëndrojnë pas saj”, ka deklaruar aktori për Variety.
Padia vjen në një moment të vështirë për Pitt edhe në jetën private. Vetëm pak ditë më parë, djali i tij i madh, Maddox, paraqiti kërkesën për të hequr ligjërisht mbiemrin “Pitt” dhe për të përdorur emrin “Maddox Chivan Jolie”.
Maddox, i cili u adoptua nga Angelina Jolie në vitin 2002, thuhet se e ka marrë këtë vendim për arsye personale, ndërsa raportet për marrëdhëniet e tensionuara mes tij dhe aktorit vazhdojnë prej vitesh.
Edhe disa nga fëmijët e tjerë të ish-çiftit kanë hequr dorë nga mbiemri “Pitt”. Vajza e tyre Shiloh e bëri këtë ligjërisht në vitin 2024, ndërsa Zahara është prezantuar publikisht vetëm me mbiemrin Jolie.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie, të cilët kanë gjashtë fëmijë së bashku, u divorcuan pas një ndarjeje shumë të përfolur në vitin 2016. Që prej asaj kohe, raportet mes aktorit dhe disa prej fëmijëve të tij janë përshkruar si të tensionuara.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.