BRUKSEL – Kosova humbi 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së për shkak të bllokadës politike
BRUKSEL, 2 nëntor /ATSH-AA/ – Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE), pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në qershor të vitit 2026 si shkak i bllokadës politike, ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj.
Zulfaj, duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur në afatin e përcaktuar.
Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të BE-së me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha Zulfaj.
Ai ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i pakonstituuar.
Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti, përfshirë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.
Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.
Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga qeveria.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.