Budva: Arrestohet i dyshuari për djegien e dy automjeteve, akuzohet për rrezikim të përgjithshëm
Një 26-vjeçar nga Budva, P. Ć., është arrestuar me dyshimin se më 26 nëntor i vuri zjarrin dy automjeteve të një bashkëqytetari, njoftoi Drejtoria e Policisë, siç përcjell Vijesti. Ai ngarkohet me veprën penale të rrezikimit të përgjithshëm dhe, sipas policisë, është përsëritës në kryerjen e veprave penale.
Sipas raportimit të Vijesti-t, dyshohet se P. Ć., tri ditë më parë rreth orës katër të mëngjesit, para shtëpisë familjare të të dëmtuarit i shkaktoi zjarr automjeteve “Audi Q8” dhe “Toyota Yaris” në pronësi të tij, e më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Drejtoria e Policisë njoftoi se oficerët e Departamentit të Sigurisë në Budva e zbardhën rastin në koordinim të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Shtetit në Kotorr: gjatë ditëve të fundit u zbatuan një sërë veprimesh operative dhe kriminalistike, të cilat rezultuan me zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e të dyshuarit, lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Policia porositi se do të vazhdojë me vendosmëri veprimet për zbulimin dhe zbardhjen e veprave penale me të cilat rrezikohen pasuria dhe siguria e qytetarëve, si dhe për identifikimin dhe procedimin e personave që me veprimet e tyre të paligjshme cenojnë mjedisin e sigurisë, siç njofton Vijesti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.