ÇEKI – Mijëra protestues kundër planit për ndryshimin e financimit të medias publike
PRAGË, 3 nëntor /ATSH-AFP/ – Mijëra qytetarë protestuan sot në Çeki, ndërsa punonjësit e medias zhvilluan një grevë kundër planit të qeverisë për të ndryshuar mënyrën e financimit të transmetuesve publikë.
Protestuesit druajnë se kalimi nga tarifa e licencës, e paguar nga individët, në financimin e drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, mund t’i japë qeverisë mundësinë për të kufizuar lirinë e medias.
Nga ana tjetër, qeveria e koalicionit, e drejtuar nga kryeministri miliarder Andrej Babis, argumenton se transmetuesit duhet të ulin kostot dhe këmbëngul se ndryshimi nuk do të ndikojë në pavarësinë editoriale apo në përmbajtjen e programeve.
Jakub Szanto, gazetar i televizionit publik çek, deklaroi se qeveria kishte ndërmarrë një “hap radikal”, duke u përpjekur të miratonte ndryshimet pa zhvilluar një debat më të gjerë publik.
Ai tha se shpresonte që autoritetet të kuptonin se nuk ka arsye të ndryshohet diçka që funksionon.
Televizioni Çek dhe Radioja Çeke reduktuan sot programacionin, ndërsa mijëra punonjës iu bashkuan protestës.
Ata marshuan nga selitë e mediave drejt një sheshi qendror në Pragë, ku u bashkuan edhe studentë universitarë dhe qytetarë të tjerë.
“Shpresojmë që kjo t’i bëjë politikanët të mendojnë dy herë dhe të tërheqin projektligjin”, deklaroi gazetarja sportive e Televizionit Çek, Zaneta Perinova.
Parlamenti ku shumicën e ka koalicioni nacionalist trepartiak i Babisit, e kaloi projektligjin në leximin e parë gjatë një seance të diskutueshme që zgjati gjithë natën muajin e kaluar.
Kritikët e akuzojnë kryeministrin Babis se po ndjek shembullin e kufizimit të mediave publike nga aleatët e tij në vende të tjera, veçanërisht nga kryeministri sllovak Robert Fico dhe ish-udhëheqësi hungarez Viktor Orban.
Qeveria synon gjithashtu të shkurtojë buxhetet e dy transmetuesve, duke anuluar në praktikë rritjet e financimit të miratuara vitin e kaluar nga qeveria e mëparshme e qendrës së djathtë.
Babis ka mohuar se synon të kontrollojë apo shtetëzojë mediat publike.
Plani është kritikuar edhe nga Unioni Evropian i Transmetuesve, Federata Evropiane e Gazetarëve, ”Reporterët pa kufij” dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit.
Pas protestës së 25 tetorit në Pragë, një tjetër demonstratë më e madhe është planifikuar për 15 nëntor. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.