Çfarë po planifikon PD? Gazetari: Berisha kërkon aksion më të ashpër në Parlament dhe jashtë tij
Gazetari Ardit Hoxha raportoi në “Now me Erla Mëhillin” për mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së të mërkurën pasdite, ku deputetët kanë diskutuar për aksionin opozitar pas zhvillimeve të fundit. Sipas Hoxhës, Sali Berisha e ka cilësuar masën ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hysenit, si një faktim të akuzave që PD ka bërë ndër vite për këtë strukturë.
Hoxha tha se, krahas mbledhjes rutinë të grupit parlamentar, e cila zgjati rreth katër orë, është zhvilluar edhe mbledhja e Kryesisë dhe Sekretariatit të PD-së, e para që prej zgjedhjes së kësaj kryesie në muajin korrik. Në fokus ka qenë aksioni i ardhshëm opozitar, ndërsa nga diskutimet është kërkuar që PD-ja të jetë më agresive dhe të ndërmarrë një aksion më të ashpër, si në Parlament ashtu edhe jashtë tij.
Sipas gazetarit, Berisha nuk ka dhënë një mesazh të qartë se çfarë do të bëjë konkretisht PD-ja në Parlament apo në raport me protestat, por ka lënë të kuptohet se demokratët duhet ta marrin në dorë situatën. Ai ka theksuar se PD-ja ka mbështetur protestën qytetare të “Flamingove” dhe se tashmë është koha që demokratët të riorganizohen, duke kërkuar nga deputetët dhe sekretariati rikthimin në bazë dhe kontaktin me militantët e mbështetësit e thjeshtë të partisë. Ky proces, sipas Hoxhës, pritet të lidhet edhe me zgjedhjet lokale të vitit 2027 dhe me aksione të mundshme gjatë javëve të ardhshme.
“Berisha është shprehur se ky është një faktim i akuzave të PD-së ndër vite për strukturën e SHISH-it. Kanë qenë dy mbledhje, njëra rutinë e grupit të PD-së, por nuk është zhvilluar si e tillë, pasi për katër orë deputetët kanë pasur diskutime ku kanë kërkuar që PD-ja të jetë më agresive dhe në një aksion të ashpër, kundërpërgjigje edhe në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, edhe mbledhja e Kryesisë së PD-së dhe Sekretariatit, mbledhja e parë që nga zgjedhja e kësaj kryesie në muajin korrik.
Në axhendë të kësaj mbledhjeje, se çfarë do të bëjë PD-ja, Berisha nuk dha mesazhe të qarta se çfarë do të bëjë PD-ja në Parlament dhe në aspektin e protestave, por ajo që la të kuptohej ishte që duhet ta marrin në dorë situatën demokratët. Ai tha se PD-ja ka mbështetur protestën qytetare të Flamingove, por tani, siç tha ai, është koha që demokratët të riorganizohen.
Dhe ka pasur dy mesazhe dhe kërkesa të forta drejtuar deputetëve dhe sekretariatit, duke apeluar që të shkojnë në bazë, të shkojnë te militantët, te mbështetësit e thjeshtë të PD-së dhe të nisin një proces të ripërtëritjes, i cili po ashtu do të përdoret për zgjedhjet lokale të vitit 2027 apo aksione që mund të organizohen dhe thirren gjatë këtyre javëve të ardhshme.
Ndërsa PD-ja do të gjendet edhe nën procesin për vendosjen e kandidatëve për bashkitë në vend dhe ndoshta të një aksioni më të ashpër, me ndërhyrje mes Parlamentit apo ndonjë proteste të mundshme që mund të thirret në bulevard. Ndërsa tashmë bulevardi çdo natë është i zënë nga Flamingot, por kjo s’ia heq mundësinë PD-së për të thirrur një protestë në ndonjë orar apo vend, pa rënë ose përplasur me protestën e qytetarëve.
Dhe një detaj i fundit ndoshta duhet ta theksojmë: kërkesa e disa prej anëtarëve të grupit të PD-së ka qenë që PD-ja të intensifikojë kontaktin me bazën. Kjo mund të shihet si një qasje që ngjason me “Praninë Besnike” të PS-së, ku çdo të premte deputetët dëgjojnë problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Ndërsa kjo e PD-së mbase është pak më ndryshe, ku përfaqësues të PD-së janë të shpërndarë dhe të deleguar. Kjo mbetet për t’u parë se si do të funksionojë dhe organizohet.
Dhe në një kuadër tjetër, të ndryshimit të drejtuesve politikë, të cilët nuk kanë ndryshuar që nga viti 2025, me përjashtim të Vlorës”, u shpreh Hoxha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.