Çollaku komenton Kuvendin Kombëtar të protestës: Është kurth për ta shuar
Politikani Kreshnik Çollaku i ftuar këtë të premte në emisionin “Review” me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me protestën. Gjatë fjalës së tij, Çollaku deklaroi se disa prej individëve të përfshirë në organizim para një viti blinin vota për llogari të kryeministrit Edi Rama.
Ai nuk zbuloi emra po shtoi se sipas tij Rama kërkon që protesta të ketë një kokë, një kapele. Sipas Çollakut, fuqia dhe “magjia” e deritanishme e kësaj proteste ka qenë pikërisht drejtimi i saj anonim dhe gjithëpërfshirja, ku bëhen bashkë qytetarë pa parti, njerëz të djathtë dhe të majtë. Ai shtoi se sipas tij Kuvendi Kombëtar është një kurth për të shuar protestën.
“Unë aty shoh njerëz, s’po i them emrat, shoh njerëz që para një viti kanë qenë angazhuar për të blerë votat për Edi Ramën në këtë fotografi. Disa në atë fotografi. S’po i them emrat sot, do t’i them njëherë tjetër. Deri para një viti kanë qenë të angazhuar duke blerë vota për Edi Ramën. Tani thotë bëj parti politike tjetër, partinë e 155-të, i vënë një kapelë protestës.
Protesta me një parti politike me shtesë do jetë prapë e fortë, por nuk përfshin dot të gjithë. Edhe forca e kësaj proteste është se janë të gjithë brenda. Dhe ne që jemi me dy gishta, dhe ata që mbajnë grushtin lart, dhe ata që s’kanë asnjë parti, janë të gjithë për një qëllim, për të dëgjuar Edi Ramën. Magjia dhe forca e kësaj proteste ishte pikërisht drejtimi anonim i saj.
Nuk më shqetëson, më shqetëson skema. Shikoni, unë kam ndjekur disa herë, po ta keni ndjekur, po e keni ndjekur edhe ju Taulant Ballën, ka dy-tre herë që thotë nuk negociojmë, presim përfaqësi nga protesta. Pardje tha do ulemi, do negociojmë me përfaqësi nga protesta. Pra, ka një insistim nga mazhoranca dhe kur refuzoi kërkesën e PD-së për të kaluar në parlament, për të kaluar këto kërkesat e protestës, tha nuk ju njohim ju si përfaqësues të protestës.
Pra ka një nxitje indirekte nga zoti Rama që protesta të ketë një kokë, një kapele. Nuk ka ndonjë gjë të keqe, problemi është që ti kur i vë një kokë apo një kapele një lëvizjeje të tillë, e ke bërë partinë e 127, 5 sa janë.
Kjo sigurisht që e zvogëlon, e kthen në objekt politik dhe pastaj Rama është një mjeshtër i mirë për të krijuar diversion. E drejton një dorë dhe është mirë që të drejtojë një dorë anonime, sepse e bën të pamundur kapjen e kësaj dore anonime. Kurse kur ka ambicie për të bërë karrierë politike, dhe kjo sigurisht është një shans shumë i madh, e thyen nevojën e madhe që të jenë të gjithë bashkë për të rrëzuar Ramën.
Mendoj që është rrugë e gabuar, është kurth. Edhe kush e bën në mënyrë naive e të sinqertë, edhe kush e bën me paramendim, mbajeni shënim, po ja u them unë këtu.”, tha ai ndër të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.