Debati për energjinë në Kuvend, opozita paralajmëron rritje të faturave deri në 20 për qind, Rizvanolli mbron tarifat
Deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së kërkuan përgjegjësi për importet, bllokun B1 dhe menaxhimin e KEK-ut, ndërsa ministrja e Ekonomisë tha se tarifat mbeten më të lirat në rajon
Gjendja në sektorin e energjisë elektrike, kostoja e importit dhe menaxhimi i KEK-ut kanë qenë në qendër të debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku opozita ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria, ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur tarifat dhe politikat e sektorit, raporton KosovaPress.
Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar qeverisjen gjashtëvjeçare në sektor, duke thënë se vetëm për importin e paraparë nga ora 17:00 deri në 18:00 — 275 megavatë me çmim mesatar prej 162 eurosh — Kosova paguan mbi 46 mijë euro për një orë të vetme. Ajo ka kritikuar edhe menaxhimin e KEK-ut, duke përmendur 777 punësime gjatë vitit 2025, rënien e fitimit dhe të prodhimit, si dhe sigurinë në punë pas vdekjes së katër punëtorëve.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka kërkuar përgjigje nëse blloku B1 do të kthehet në funksion më 9 dhjetor, siç është planifikuar, duke theksuar se pas gati gjashtë vjetësh qeverisje ekzekutivi nuk mund të arsyetohet më me trashëgiminë e së kaluarës apo me tregjet ndërkombëtare. Ndërsa deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se paralajmërimet për dimër të vështirë nënkuptojnë rritje të faturave të rrymës për 15 deri në 20 për qind, duke shtuar se faturat e qytetarëve serbë në komunat veriore, sipas saj, nuk janë rritur asnjëherë.
Ministrja Rizvanolli ka theksuar se tarifat që opozita i cilëson të papërballueshme mbeten më të lirat në rajon, dukshëm më të lira se në vendet fqinje. Për bllokun B1, ajo ka thënë se projekti financohet nga Bashkimi Evropian, i cili është edhe kontraktuesi i kompanisë mbikëqyrëse, ndërsa për rrjetin e distribucionit përgjegjësia i takon KEDS-it, me ZRRE-në si autoritetin e vetëm mbikëqyrës, kompetencat e së cilës forcohen me legjislacionin e ri.
Sa i përket marrëveshjes për “Elektroserverin”, Rizvanolli ka thënë se ajo u finalizua në vitin 2022 mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2013 dhe se vetëm pas 11 vjetësh ka nisur faturimi dhe pagesa në veri. Ajo ka shtuar se koha mesatare pa rrymë për një familje kosovare (SAIDI) ka rënë nga 110 orë në vitin 2018 në rreth 60 orë në vitin 2025.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.