Dëmet nga protestat në Tiranë kapin vlerën e 3,37 milionë eurove, Tatimet: 110 aplikime në e-Albania!
Vlera totale e dëmeve të shkaktuara në bizneset e prekura nga protestat e ditëve të fundit në kryeqytet vlerësohet deri sot në 3.37 milionë euro.
Të dhënat u bënë me dije nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT), e cila konfirmoi se deri më tani janë kryer 110 aplikime nga sipërmarrësit e dëmtuar.
Aplikimet po kryhen përmes shërbimit të dedikuar “Dëmi im” në platformën e-Albania, një mekanizëm që mundëson vetëdeklarimin, dokumentimin dhe vlerësimin e pasojave materiale në aktivitetin ekonomik.
Inspektimet në terren dhe verifikimi i dëmeve
Për të siguruar një pasqyrë sa më reale dhe të saktë të dëmeve në njësitë tregtare, Administrata Tatimore ka zbritur në terren 10 grupe të posaçme pune. Këto grupe po kryejnë verifikimin e informacionit të raportuar nga bizneset dhe po mbledhin prova shtesë për secilin rast të deklaruar.
Autoritetet tatimore u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtare që kanë pësuar dëme gjatë trazirave, të shfrytëzojnë platformën digjitale për të kontribuar në dokumentimin e plotë të bilancit.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nënvizoi angazhimin e saj për t’u qëndruar pranë sipërmarrjeve të prekura:
“Përmes shërbimit ‘Dëmi im’ në e-Albania, bizneset e prekura vijojnë të raportojnë dëmet e shkaktuara, duke ndihmuar në dokumentimin dhe vlerësimin e tyre. Pranë bizneseve të prekura, në çdo hap, me përgjegjësi, korrektësi dhe angazhim të vazhdueshëm. Procesi vijon”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.