Rrëzimi i helikopterit ushtarak në Bosnje-Hercegovinë, ministri Hoxha: Shqipëria qëndron krah të Italisë dhe gjithë komu
Rrëzimi i helikopterit ushtarak në Bosnje-Hercegovinë, Ministri Hoxha: Shqipëria qëndron krah të Italisë dhe gjithë komunitetit të EUFOR-it
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas ngjarjes tragjike pranë Brçkos në Bosnje-Hercegovinë, ku një helikopter i misionit të EUFOR-it u rrëzua, duke shkaktuar humbjen e tre jetëve dhe plagosjen e 12 personave.
Përmes një postimi në platformën X, Hoxha shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin e Shqipërisë me Italinë dhe komunitetin e EUFOR-it.
“Thellësisht i trishtuar nga ngjarja tragjike pranë Brçkos, në Bosnje-Hercegovinë, ku u përfshi një helikopter i EUFOR-it; ngjarje e cila mori tri jetë dhe la dymbëdhjetë persona të lënduar”, shkruan ministri.
Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe autoritetet italiane, ndërsa uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe për Qeverinë dhe popullin e Italisë. Mendimet tona janë gjithashtu pranë të gjithë të lënduarve, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, theksoi Hoxha.
Ministri nënvizoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për Italinë, partnere dhe aleate në NATO, si dhe për misionin e EUFOR-it, ku shërbejnë edhe ushtarakë shqiptarë.
“Në këtë moment të vështirë, Shqipëria qëndron fuqimisht krah Italisë, vendit mik dhe aleat në NATO, si dhe në krah të gjithë komunitetit të EUFOR-it, ku personeli shqiptar shërben me krenari përkrah kolegëve italianë dhe ushtarakëve të tjerë, në një angazhim të përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Bosnje-Hercegovinë”, deklaroi ai.
Ngjarja ka tronditur komunitetin ndërkombëtar të sigurisë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit ajror.
Shqipëria, përmes reagimit të ministrit Hoxha, ka rikonfirmuar solidaritetin me aleatët dhe angazhimin e saj në misionet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.