Dokumente gjyqësore: SHBA zhvilloi bisedime të fshehta me Iranin për dëbimin e iranianëve edhe gjatë luftës
Administrata e presidentit Donald Trump zhvilloi bisedime të fshehta me Iranin për dëbimin e iranianëve edhe ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdonte, tregojnë dokumentet gjyqësore të siguruara nga Associated Press dhe të hapura të enjten.
Sipas dokumenteve, administrata deklaroi së fundmi, në mesin e tetorit, se kishte plane t’i dëbonte iranianët përmes një vendi të tretë që nuk emërtohet, ndonëse nuk ishte e qartë se kur synonte ta bënte këtë. Dokumentet tregojnë se kontaktet me zyrtarët iranianë u mbajtën gjatë luftës pikërisht për çështjet e dëbimit, për dorëzimin e dokumenteve të udhëtimit dhe për gjetjen e “rrugëve të mundshme të dëbimit”. Gjykatësja e çështjes urdhëroi qeverinë ta njoftojë gjykatën 24 orë përpara për çdo plan të finalizuar për dëbimin e iranianëve në Iran ose në çdo vend tjetër, si dhe me shkrim pesë ditë përpara se dëbimi të kryhet.
Në transkriptin e seancës së 15 tetorit, gjykatësja Ana Reyes i tha avokatit të Departamentit të Drejtësisë, Dimitar Georgiev-Remmel, se qeveria po i thoshte se Shtetet e Bashkuara do t’i dërgonin njerëzit drejt një rajoni ku, sipas saj, ata përballen të paktën me një kërcënim serioz vdekjeje. Avokati u përgjigj se qeveria po zbaton urdhra të ligjshëm dëbimi. Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, siç njofton Associated Press.
Zbulimi doli nga një padi në vazhdim, e cila pretendon se agjencitë amerikane të imigracionit kanë ndarë informacione konfidenciale për azilkërkuesit iranianë me qeverinë iraniane, në shkelje të rregulloreve dhe duke rrezikuar iranianë të shumtë. Padia përshkruan një fushatë të koordinuar të dy qeverive për të identifikuar iranianët e ndaluar nga ICE dhe për t’u bërë presion të kthehen në Iran — një largim i dukshëm nga dekada armiqësie diplomatike mes dy vendeve, ndërsa Departamenti i Sigurisë Kombëtare e ka mohuar ndarjen e dosjeve të azilit me qeverinë iraniane.
Qindra email-e të shkëmbyera mes zyrtarëve amerikanë të imigracionit kishin treguar më herët se dy vendet bashkëpunuan për të kthyer me avion në Iran më shumë se 100 iranianë, në tre fluturime imigracioni në shtator dhe dhjetor 2025 dhe në janar 2026. Dëbimet e iranianëve në vendin e tyre kanë qenë historikisht të rralla, për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit dhe të persekutimit të mundshëm që të dëbuarit mund të përballojnë pas kthimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.