DPA në Panairin Mbarëkombëtar në Tetovë me botime mbi figurat e rëndësishme të kombit
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, në Universitetin e Tetovës.
Në këtë edicion, që mbahet me rastin e seminarit të XX-të të Albanologjisë, DPA-ja paraqiti botimet e saj ndër vite mbi periudha dhe figura të rëndësishme të kombit. Mes publikimeve të paraqitura në panair, në stendën e DPA-së përfshiheshin edhe studimet mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare.
Sot, DPA-ja do të përmbyllë pjesëmarrjen në panair me prezantimin e botimeve të saj më të fundit, monografive “Nikollë Bej Ivanaji, dimensioni i tij në dokumentet arkivore, 1879-1951” dhe “Udhërrëfyes i dokumenteve në gjuhën italiane në AQSH, fondet personale dhe familjare”.
Panairi u çel dje, në Tetovë, ku ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe rektori i Universitetit të Tetovës prof. dr. Kushtrim Ahmeti. Ky panair që bëri bashkë botuesit, institucionet, organizmat shkencorë dhe disa prej universiteteve shqiptare, u organizua nga Universiteti i Tetovës, përmes Drejtorisë së Seminarit të Albanologjisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.