Një ilaç i hidhur nën anestezi politike
Në zhargonin ekonomik, “kapitalizmi i katastrofës” është arti i shfrytëzimit të një krize për të zhvatur pasurinë publike, ndërkohë që qytetarët i kanë sytë nga emergjenca. Kjo është pikërisht receta që po gatuan qeveria shqiptare me “MedAL”, një shoqëri guackë shtetërore e projektuar për të centralizuar tregtinë dhe shpërndarjen e barnave për spitalet, në ortakëri me privatët.
Duke shfrytëzuar zemërimin e kuptueshëm të pacientëve për raftet bosh nëpër pavijone, autoritetet po instalojnë një monopol të paprecedentë hibrid: njëkohësisht rregullator dhe aktor tregu, blerës dhe shitës, hartues tenderësh dhe fitues i tyre—me njërën dorë në thesarin e shtetit dhe tjetrën në llogari të errëta private.
Qëllimi grabitqar i kësaj nisme është aq i dukshëm, saqë ajo bën çdo gjë përveçse të adresojë problemin e vërtetë të shëndetësisë. Sepse thelbi i problemit në shëndetësinë shqiptare është i thjeshtë: ajo është kronikisht e nënfinancuar.
Sipas shifrave të Bankës Botërore dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shpenzimet publike të Shqipërisë për shëndetësinë në vitin 2023 ishin vetëm 293 dollarë për frymë. Kjo shifër është gati tre herë më e ulët se në Malin e Zi fqinj (796 dollarë) dhe, e përshtatur për fuqinë blerëse, përbën më pak se një të katërtën e mesatares së Bashkimit Evropian.
Kur buxheti është i mangët, prokurimet vonohen dhe pagesat ndaj furnitorëve zvarriten—një problem i dokumentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH)—raftet mbeten bosh, pavarësisht se kush i zotëron kamionët e shpërndarjes.
Por, në vend që të rregullojë tubacionet e financimit dhe të përshpejtojë procedurat e prokurimit, projektligji i MedAL-it synon të ndërtojë një rrjet të ri. Kjo ngre dy shqetësime serioze: njërin ekonomik dhe tjetrin të qeverisjes.
Ekonomikisht, krijimi i një operatori shtetëror me infrastrukturë magazinimi dhe zinxhir frigoriferik rrezikon të dublojë investimet ekzistuese të distributorëve të licencuar privatë. Pa një studim të pavarur fizibiliteti—një mungesë e dukshme në paketën ligjore—taksapaguesit rrezikojnë të financojnë kosto të dyfishta, ndërsa pacientët mund të përballen me ndërprerje furnizimi gjatë një tranzicioni të ngathët.
Megjithatë, rreziku më i madh fshihet në arkitekturën ligjore të MedAL-it. Projektligji nuk e kufizon shoqërinë e re thjesht në rolin e një blerësi qendror. Ai i jep asaj të drejtën të veprojë si aktor tregtar, të krijojë shoqëri të përbashkëta me partnerë privatë dhe madje të blejë pjesëmarrje minoritare në kompani ekzistuese. Kjo krijon një koktej të rrezikshëm konfliktesh interesi.
Imagjinoni një treg ku MedAL-i harton specifikimet e tenderëve, ka akses në çmimet neto konfidenciale të prodhuesve ndërkombëtarë dhe përdor magazina të financuara nga buxheti i shtetit për të furnizuar klinikat private me çmime të subvencionuara. Për më tepër, përfaqësuesit e agjencisë rregullatore të barnave pritet të ulen në bordin mbikëqyrës të MedAL-it—duke i bërë ata njëkohësisht lojtarë në fushë dhe arbitra të ndeshjes.
Për të legjitimuar këtë shartim të dyshimtë, relacioni i qeverisë thërret në ndihmë shembujt e Amgros në Danimarkë dhe SPMS në Portugali. Por emrat evropianë nuk mjaftojnë për të mbuluar deformimin e modelit: në Kopenhagë dhe Lisbonë, këto ente janë thjesht organizatore ankandesh publike, jo ortake biznesi që ndajnë aksione e magazina me tregtarët e barnave.
Amgros dhe SPMS janë thjesht modele të blerjes së centralizuar, si ai që Shqipëria e ka sakaq me Operatorin e Blerjeve të Përqendruara. Ndaj ajo që po bën qeveria nuk është kopjimi i modelit danez, por shpikja e një çibani shqiptar me një qëllim të vetëm, të heqë garën dhe të privatizojë tenderat e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.
Ky model është eksportimi i pastër i skemës KAYO nga industria ushtarake në sektorin e shëndetësisë, por me një rrethanë rënduese. Ndërsa partneritetet e mbyllura me privatët mund të justifikohen kur bëhet fjalë për anije luftarake dhe siguri kombëtare, në tregun e barnave ato kthehen në një mekanizëm për të shpërndarë monopole të fshehta mbi shëndetin e qytetarëve.
Por ndarja e këtyre monopoleve ka nevojë për një kusht të heshtur: mungesën e dëshmitarëve. Ajo që ngre më shumë vetulla nuk është ambicia e qeverisë për të krijuar një monopol të ri, sesa heshtja shurdhuese e opozitës. Në një vend ku politika zakonshëm shpërthen në zhurmë për çdo detaj periferik, fakti që një projektligj i cili riformaton nga themelet një treg prej qindra milionë eurosh po kalon thuajse pa u vënë re, është sa i çuditshëm aq edhe domethënës.
Kapitalizmi i katastrofës nuk kërkon vetëm një qeveri të vendosur për të rishkruar rregullat në favor të vetes, por edhe një opozitë të tulatur që nuk arrin—ose nuk do—ta lexojë rrezikun përtej sloganit të ditës. Kur shfrytëzimi i fatkeqësisë publike gjen një terren kaq të heshtur, ai shndërrohet në një makineri të pashpirt grabitjeje me bazë të gjerë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.