☀️
Tiranë 29°C · Kthjellët 23 June 2026
S&P 500 7,473 ▼0.37%
DOW 51,713 ▲0.29%
NASDAQ 26,167 ▼1.32%
NAFTA 72.79 ▼1.45%
ARI 4,139 ▼1.53%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191 EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191
₿ CRYPTO
BTC $63,011 ▼ -1.93% ETH $1,693 ▼ -3.03% XRP $1.1153 ▼ -2% SOL $70.4400 ▼ -5.17%
S&P 500 7,473 ▼0.37 % DOW 51,713 ▲0.29 % NASDAQ 26,167 ▼1.32 % NAFTA 72.79 ▼1.45 % ARI 4,139 ▼1.53 % S&P 500 7,473 ▼0.37 % DOW 51,713 ▲0.29 % NASDAQ 26,167 ▼1.32 % NAFTA 72.79 ▼1.45 % ARI 4,139 ▼1.53 %
EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191 EUR/USD 1.1436 EUR/GBP 0.8635 EUR/CHF 0.9249 EUR/ALL 94.3796 EUR/MKD 61.6323 EUR/RSD 117.3549 EUR/TRY 53.1302 EUR/JPY 184.84 EUR/CAD 1.6191
23 Jun 2026
Breaking
Arte

Dy ditë kushtuar pesë dekadave të filmit shqiptar në Círculo de Bellas Artes

Për dy mbrëmje radhazi, më 18 dhe 19 qershor, një nga institucionet më prestigjioze kulturore të Spanjës, Círculo de Bellas Artes, u shndërrua në një dritare të hapur drejt historisë, kujtesës dhe zhvillimit të kinematografisë shqiptare. Në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Spanjë, u organizua cikli filmik “Aquí hay dragones. Cinco décadas de cine anjes: albanés” (“Këtu ka dragonj. Pesë dekada të kinemasë shqiptare”), një ngjarje që solli para publikut madrilen disa nga veprat më përfaqësuese të filmit shqiptar, duke krijuar një urë të re komunikimi kulturor mes Shqipërisë dhe Spanjës.

Programi përfshiu katër filma që përfaqësojnë periudha dhe qasje të ndryshme të kinemasë shqiptare: dokumentarin “Here Be Dragons” të regjisorit Mark Cousins, filmin klasik “Vdekja e Kalit” (Death of the Horse) të regjisorit Saimir Kumbaro, filmin bashkëkohor “Leaving Eden” të regjisorit dhe producentit Genc Përmeti, si dhe filmin “Kur xhirohet një film” (While Shooting a Film) të regjisores së njohur e vlerësuar tashmë edhe ndërkombëtarisht  Xhanfise Keko.

Hapja me “Here Be Dragons”

Aktiviteti u çel më 18 qershor me shfaqjen e dokumentarit “Here Be Dragons”, një vepër e regjisorit irlandez, Mark Cousins, i njohur ndërkombëtarisht për punën e tij mbi historinë e kinemasë botërore. Dokumentari, i realizuar në Shqipëri, ndalet te historia e kinematografisë shqiptare dhe te rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë audiovizive kombëtare. Përmes një udhëtimi në arkivat e filmit shqiptar, Cousins sjell një reflektim të ndjerë mbi kujtesën kulturore. Mbrëmja u hap nga Manuel Asin, Drejtor për Kinematografinë në Círculo de Bellas Artes të Madridit, më tej vazhdoi me përshëndetjen e Ambasadores së Shqipërisë në Spanjë, Entela Gjika, e cila theksoi rëndësinë e promovimit të kulturës shqiptare në hapësirën evropiane përmes artit të filmit. Producenti i mirënjohur shqiptar Genc Përmeti bëri një prezantim më të gjerë të ciklit të filmave, që do të shfaqeshin gjatë dy netëve si dhe prezantoi filmin “Here Be Dragons”.

“Vdekja e Kalit”, filmi i fundit i kinemasë klasike shqiptare

Pas dokumentarit të Cousins, publiku pati mundësinë të ndjekë “Vdekja e Kalit”, filmin artistik të regjisorit Saimir Kumbaro, një prej figurave më të njohura të kinemasë shqiptare. Filmi konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të periudhës së fundit të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe mbetet një dëshmi artistike e transformimeve shoqërore dhe morale të kohës. Shfaqja e këtij filmi në Madrid u prit me interes të veçantë nga publiku spanjoll, i cili pati mundësinë të njihej me një kapitull të rëndësishëm të historisë së filmit shqiptar, larg stereotipeve dhe përmes gjuhës universale të kinemasë.

Genc Përmeti prezanton “Leaving Eden”

Dita e dytë e ciklit, më 19 qershor, nisi me filmin “Leaving Eden”, një prodhim bashkëkohor i regjisorit shqiptar Genc Përmeti. Para shfaqjes, vetë regjisori prezantoi filmin dhe zhvilloi një bisedë me publikun mbi procesin krijues, sfidat e prodhimit filmik dhe perspektivat e reja të kinemasë shqiptare. Përmeti, i cili ka ndërtuar një profil të rëndësishëm si producent dhe kineast në skenën ndërkombëtare, e përdor filmin për të trajtuar tema universale që lidhen me identitetin, largimin, kujtesën dhe kërkimin e vetvetes, duke e bërë veprën të kuptueshme dhe të afërt për publikun ndërkombëtar.

Homazh për regjisoren Xhanfise Keko

Filmi “Kur xhirohet një film”, një nga veprat më të njohura të Xhanfise Kekos, regjisores që konsiderohet pionierja dhe figura më e rëndësishme femërore e kinemasë shqiptare, u prit me mjaft emocion. Keko, autore e dhjetëra filmave që kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare, përfaqëson një kapitull të veçantë në historinë e filmit kombëtar. Shfaqja e këtij filmi në Madrid u konsiderua si një homazh ndaj kontributit të saj të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave dhe në zhvillimin artistik të kinemasë shqiptare.

Një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Spanjës

Cikli “Pesë dekada të kinemasë shqiptare” nuk ishte thjesht një seri shfaqjesh filmike. Përmes përzgjedhjes së filmave nga periudha të ndryshme, nga klasikët e Kinostudios te prodhimet bashkëkohore dhe dokumentarët ndërkombëtarë mbi Shqipërinë, organizatorët arritën të paraqesin një panoramë të gjerë të evolucionit të kinemasë shqiptare gjatë pesë dekadave të fundit. Ky aktivitet konfirmoi interesin në rritje të institucioneve kulturore evropiane për artin dhe kulturën shqiptare, dhe dëshmoi se kinemaja mbetet një nga format më të fuqishme të diplomacisë kulturore.

Për dy ditë, në zemër të Madridit, Shqipëria foli përmes ekranit të madh, duke sjellë histori, kujtime dhe zëra që vazhdojnë të pasurojnë identitetin kulturor shqiptar dhe ta bëjnë atë pjesë të dialogut kulturor evropian.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.