E rëndë në kufirin kroato-slloven, mbyten në lumë 5 emigrantë! Shpëtohen 5 të tjerë
Pesë emigrantë humbën jetën tragjikisht të premten në kufirin midis Kroacisë dhe Sllovenisë. Mësohet se ata humbën jetën pasi u mbytën ndërsa përpiqeshin të kalonin një lumë. Fatmirësisht pesë të tjerë u shpëtuan.
Autoritetet u njoftuan pasi se një grup njerëzish, të dyshuar si emigrantë, u panë në lumin Kupa, rreth 90 kilometra në jugperëndim të Zagrebit.
Policia dhe banorët shpëtuan pesë të huaj, por pesë të tjerë u mbytën, tha policia kroate në një njoftim për shtyp, pa specifikuar kombësitë e tyre.
“Grupi përbëhej nga pothuajse njëzet persona, 14 prej të cilëve arritën të kalonin lumin dhe ndodhen në territorin slloven”, shpjegoi policia kroate.
Kroacia është pjesë e një rruge të ndjekur nga emigrantët e parregullt që përpiqen të arrijnë Evropën Perëndimore përmes Ballkanit.
Mbi 12,500 njerëz morën “rrugën ballkanike” në vitin 2025, sipas të dhënave nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), një numër i ulur me 42% krahasuar me vitin 2024.
Që nga viti 2014, më shumë se 400 njerëz kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë udhëtimit përgjatë kësaj rruge, sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila i përket sistemit të OKB-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.