Ekspozim ndaj hantavirusit, 12 mjekë dhe infermierë vendosen në karantinë
Dymbëdhjetë mjekë dhe infermierë në një spital në Holandë janë vendosur në karantinë parandaluese për gjashtë javë, pasi dyshohet se u ekspozuan ndaj hantavirusit gjatë trajtimit të një pacienti të ardhur nga anija turistike MV Hondius.
Sipas autoriteteve spitalore, personeli mjekësor nuk ndoqi protokollet speciale të sigurisë biologjike gjatë marrjes dhe analizimit të mostrave të gjakut, por vijoi me procedurat standarde. Gjithashtu, nuk u respektuan udhëzimet ndërkombëtare për asgjësimin e urinës së pacientit.
Deri tani nuk është konfirmuar asnjë infektim te personeli mjekësor, ndërsa autoritetet theksojnë se rreziku i transmetimit mbetet i ulët. Punonjësit e izoluar po monitorohen për simptoma gjatë gjithë periudhës së inkubacionit.
Deri më tani, nga hantavirusi janë regjistruar tre viktima, ndërsa disa pasagjerë në Spanjë, Francë dhe Shtetet e Bashkuara po mbahen në izolim ose nën vëzhgim. Në Francë janë identifikuar 22 kontakte të afërta që janë urdhëruar të izolohen, ndërsa në Spanjë 14 persona janë vendosur në karantinë, ku njëri prej tyre rezultoi pozitiv, por pa simptoma.
Edhe vende të tjera europiane kanë nisur gjurmimin e kontakteve për të shmangur përhapjen e mundshme të virusit.
Hantavirusi transmetohet zakonisht nga brejtësit përmes urinës, jashtëqitjeve apo pështymës së tyre dhe mund të shkaktojë komplikacione serioze respiratore ose renale.
Ekspertët theksojnë se transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet shumë i rrallë, por rastet e fundit kanë shtuar masat e sigurisë në spitale dhe në pikat kufitare në Europë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.