Elbasani kërkon revanshin, “fortesa” pret Dinamon
Verdheblutë përballen me një sfidë delikate ndaj Dinamos javën e ardhshme, ku objektivi është i qartë: fitorja për të mos humbur më shumë terren në renditje. Faktori fushë shihet si një avantazh, ndërsa motivimi shtohet edhe nga dëshira për të marrë revanshin ndaj kryeqytetasve, shkruan Panorama Sport.
Elbasani ka përpara një nga ndeshjet e rëndësishme të këtij momenti të kampionatit. Në javën e radhës, verdheblutë do të përballen me Dinamon, në një duel që pritet të ketë peshë të konsiderueshme për ecurinë e skuadrës në vazhdimësi. Pas rezultateve me luhatje në këto 11 javë, ekipi elbasanas ka nevojë për pikë të plota, në mënyrë që të mos rrezikojë rrëshqitjen në renditje dhe të mbajë kontaktin me objektivat e tij.
Fortesa shtëpi
Një nga aspektet më pozitive për verdheblutë është bilanci në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi. Në pesë takimet e këtij sezoni ku Elbasani ka qenë pritës, skuadra ka regjistruar tri fitore dhe dy barazime, duke mbetur e pamposhtur. Ky është një tregues që dëshmon se Elbasani di të marrë rezultate në ambientin e tij dhe se kundërshtarët e kanë të vështirë të dalin me pikë të plota. Edhe pse, për hir të së vërtetës, “Elbasan Arena” është shtëpia e të dy ekipeve, pasi edhe Dinamo prej disa sezonesh i zhvillon ndeshjet në këtë stadium.
Humbja në Elbasan
Verdheblutë kanë regjistruar edhe një humbje në stadiumin e Elbasanit gjatë këtij sezoni, por ajo ka ardhur në rrethana të veçanta. Në atë takim, Dinamo ishte skuadra pritëse, pasi edhe kryeqytetasit i zhvillojnë ndeshjet në të njëjtin stadium. Pra, Elbasani ishte në rolin e skuadrës udhëtuese, pavarësisht se ndeshja u luajt në qytetin e tij. Tashmë situata është ndryshe: këtë herë Elbasani do të jetë zyrtarisht skuadra pritëse dhe do të kërkojë të shfrytëzojë këtë avantazh për të marrë tri pikët. Përballja merr kështu edhe një dimension tjetër, pasi përveç rëndësisë në klasifikim, ekziston edhe dëshira për revansh ndaj një kundërshtari që i ka shkaktuar një nga disfatat e këtij sezoni.
Rëndësia e fitores
Për Elbasanin, kjo ndeshje nuk është thjesht një tjetër takim i kampionatit. Një fitore do të kishte rëndësi të veçantë për moralin e skuadrës, do të ndihmonte në përmirësimin e pozicionit në renditje dhe do të shërbente si një sinjal pozitiv për vazhdimësinë. Faktori fushë dhe mbështetja e tifozëve mund të jenë një shtysë e rëndësishme. Elbasani kërkon të mbrojë fortesën e tij, të ruajë ecurinë pozitive si pritës dhe të marrë revanshin ndaj Dinamos.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.