Gonxhja: 72% e buxhetit të MTKS shkon për artin dhe kulturën, synojmë model të ri menaxhimi në Bylis
TIRANË, 13 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se 72% e buxhetit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për vitin 2027 do t’i dedikohet artit, kulturës dhe trashëgimisë, me fokus të veçantë ndërhyrjet për restaurimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e kalave, muzeve, siteve arkeologjike dhe monumenteve të kulturës.
Në një intervistë televizive, Gonxhja u shpreh se në buxhetin 2027 është rritur me 80% fondi për financimin e trashëgimisë kulturore, ndërkohë që 5,45 miliardë lekë do të shkojnë për artin, kulturën dhe trashëgiminë.
Sipas Gonxhes, buxheti i përgjithshëm i MTKS për vitin 2027 është 7,65 miliardë lekë, me një rritje prej 3,5% krahasuar me vitin 2026.
“Gjithë buxheti i MTKS-së, që është me katër portofole, turizëm, kulturë, sport, por ka edhe rininë të përfshirë si fushë përgjegjësie, është 7,65 miliardë lekë për vitin buxhetor 2027. 5,45 miliardë lekë nga këto, pra pjesa më e madhe, 72% e buxhetit total i shkojnë artit, kulturës dhe trashëgimisë”, deklaroi Gonxhja.
Ministri theksoi se rritja e financimit për trashëgiminë kulturore është e domosdoshme për shkak të nevojave të shumta për ndërhyrje në monumentet e kulturës, kalatë, muzetë dhe sitet arkeologjike.
Gonxhja veçoi situatën e monumenteve të kulturës në Gjirokastër, ku, sipas tij, 90 nga 390 objektet monumente kulture në ansamblin e qendrës historike, kërkojnë ndërhyrje emergjente.
“Gjirokastra sidomos është në një moment rreziku. Nga 390 objekte që janë gjithsej në ansamblin e qendrës historike të Gjirokastrës, 90 prej tyre kërkojnë ndërhyrje emergjente”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se ndërhyrjet në këto objekte vështirësohen në rastet kur banorët refuzojnë bashkëpunimin, pronarët dhe trashëgimtarët nuk gjenden ose ndërtesat janë braktisur. Sipas tij, degradimi i monumenteve rrezikon jo vetëm strukturat dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe vlerat historike dhe identitetin e qendrave të mbrojtura.
Në këtë kuadër, Gonxhja njoftoi se do të punohet edhe për amendimin e ligjit për trashëgiminë kulturore, me synimin për ta përafruar atë me direktivat dhe aktet e Bashkimit Europian, si dhe për të përmirësuar mekanizmat e ndërhyrjes në territor.
“Ky nuk është ligj i ri. Është një amendim i ligjit të trashëgimisë. Do të bëjmë një përputhje me direktivat dhe me aktet e Bashkimit Europian që na duhet për çështjen e integrimit. Mund të bëjmë një optimizim të një pjese të dispozitave të këtij ligji, që do të na japë mundësinë që ne të jemi më aktivë, më praktikë, më eficientë në territor”, tha ai.
Për sa i përket investimeve konkrete, ministri përmendi nevojën për ndërhyrje në Kalanë e Gjirokastrës, si dhe përforcimin dhe stabilizimin e Kalasë së Krujës. “Ndërhyrje kërkohen edhe në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku janë evidentuar probleme me lagështirën dhe amortizimin e hapësirave të brendshme, ndërsa nevojitet edhe përmirësimi i sistemit të klimatizimit”, theksoi ai.
Një tjetër projekt i paralajmëruar është rikthimi në funksion publik i rreth 25 objekteve monumente kulture në disa qytete të vendit. Sipas Gonxhes, objektet e braktisura ose në gjendje të rënduar do të rikthehen në përdorim si muze, qendra kulturore, biblioteka dhe hapësira në shërbim të institucioneve publike dhe komuniteteve.
Ministri u ndal edhe tek investimet në sitet arkeologjike, duke përmendur Butrintin, Bylisin dhe Apoloninë. Ai deklaroi se modeli i ri i menaxhimit në Butrint ka sjellë rritje të ndjeshme të të ardhurave nga shitja e biletave, me mbi 2 milionë euro rritje në vit.
Ndërkohë, Gonxhja theksoi se në Bylis, në zonën e Mallakastrës, po punohet për ngritjen e një modeli të ri të menaxhimit publik, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Kooperacionin Italian. Në Apoloni, sipas tij, ka përfunduar ndërtimi i qendrës së re të vizitorëve.
Sipas Gonxhes, këto qendra do të shërbejnë njëkohësisht si hapësira muzeale, qendra kërkimore dhe mjedise pune për specialistët e trashëgimisë kulturore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.