Emri/ U ndalua për drogë në kufi, shqiptarja ndërron jetë pas marrjes në pyetje nga policia
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prizren, ku një 26-vjeçare ka humbur jetën pasi ishte shoqëruar nga policia.
Mësohet se viktima është Blerta Hyseni, e cila ishte ndaluar nga policia në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, së bashku me Adnan Podvoricën gjatë një operacioni të njësive të antidrogës.
Gjithçka nisi të dielën, më 15 nëntor, kur hetuesit e antidrogës në Prishtinë siguruan informacione operative se Podvorica kishte udhëtuar drejt Kukësit, në Shqipëri, me dyshimin se do të furnizohej me kokainë. Kjo informatë vuri në lëvizje hetuesit e Prishtinës dhe Prizrenit, të cilët organizuan një operacion në pikën kufitare të Vërmicës.
Rreth orës 18:00, policia ndaloi një BMW X6 të kuqe, menjëherë pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës. Në timon ishte Podvorica, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej Hyseni.
Kontrolli i detajuar i veturës përfundoi me zbulimin e 105.7 gramëve substancë të dyshuar kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan dy fishekë të kalibrit 9 mm, dy telefona iPhone dhe vetura.
Aksioni vazhdoi edhe në Bardhosh të Prishtinës, ku hetuesit kontrolluan shtëpinë dhe lokalin “Siena Bar” të Podvoricës. Në shtëpi nuk u gjet asgjë e dyshimtë, ndërsa në lokal u sekuestrua një pajisje për identifikimin e GPS-it dhe kamerave. Pas ndalimit, Hyseni dhe Podvorica u morën në pyetje nga policia.
Megjithatë, gjatë përgatitjeve për intervistimin e Blerta Hysenit, në praninë e avokatit të saj mbrojtës, të resë iu përkeqësua papritur gjendja shëndetësore. Ajo shfaqi simptoma të dyshuara të ngjashme me kriza epileptike.
Policia kërkoi menjëherë ndihmën e emergjencës, ndërsa ekipet mjekësore mbërritën në stacion dhe i ofruan ndihmën e parë. Më pas, Hyseni u transportua në Emergjencë për trajtim të mëtejshëm. Rreth orës 01:30 pas mesnatës, Blerta Hyseni ndërroi jetë.
Vdekja e saj ka hapur një hetim të veçantë nga hetuesit rajonalë në Prizren, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente.
Ndërkohë, hetimet për substancën e dyshuar narkotike të sekuestruar në Vërmicë po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.