“The Guardian”: “Made in Europe”, ligji që rrezikon planet e Britanisë së Madhe për afrimin me BE-në
– Planet e Britanisë së Madhe për të rivendosur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian rrezikojnë të pësojnë një tjetër vonesë, nëse Brukseli nuk pranon të diskutojë për ligjin e ri “Made in Europe” (Prodhuar në Evropë), i cili mund të përjashtojë kompanitë britanike nga një pjesë e rëndësishme e industrisë evropiane, sipas “The Guardian”.
Burime qeveritare britanike kanë bërë të ditur se Londra, nuk do të caktojë një datë të re për samitin e ardhshëm me BE-në, pa përfshirë në agjendë këtë çështje, e cila konsiderohet me rëndësi për bizneset dhe prodhuesit britanikë.
Legjislacioni “Made in Europe”, i njohur zyrtarisht si Akti për Përshpejtimin Industrial, synon të kufizojë praninë në rritje të Kinës në industrinë evropiane, duke u dhënë përparësi prodhuesve dhe furnizuesve evropianë në sektorë të rëndësishëm, përfshirë prodhimin e automjeteve dhe industrinë e mbrojtjes.
Megjithatë, kjo nismë nuk ishte pjesë e planit për rivendosjen e marrëdhënieve mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, të dakordësuar në maj 2025 nga kryeministri i atëhershëm britanik, Keir Starmer, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë takimit në Londër.
Një samit pasues ishte parashikuar të zhvillohej në korrik të këtij viti, por u anulua pas dorëheqjes së Starmer.
Qeveria britanike po kërkon tani të ndryshojë planin e dakordësuar më parë, duke këmbëngulur që ligji “Made in Europe” të përfshihet në diskutime.
Ministri i ri i kabinetit britanik përgjegjës për marrëdhëniet me BE-në, Hamish Falconer, thuhet se ia ka paraqitur këtë si përparësi të re komisionerit evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, gjatë takimit të tyre javën e kaluar.
Edhe ministri britanik i Tregtisë, Anas Sarwar, u ka kërkuar drejtuesve të bizneseve, në vend që t’u bëjnë të qarta partnerëve evropianë rreziqet që paraqet ky legjislacion për kompanitë britanike.
Ministrat britanikë kanë shprehur privatisht shqetësimin se procesi i afrimit me BE-në ka humbur ndjeshëm ritmin, pasi kryeministri Andy Burnham i ka kushtuar më shumë vëmendje agjendës së brendshme.
Ndër çështjet që ende nuk kanë marrë zgjidhje është edhe përcaktimi i tarifave universitare për studentët e BE-së që do të studiojnë në Britani të Madhe, në kuadër të një programi të propozuar për shkëmbimin dhe përvojën e të rinjve.
Burime britanike bëjnë të ditur se marrëveshja për tregtinë e ushqimeve dhe pijeve, si dhe skema e lëvizjes së të rinjve, mbeten pjesë e axhendës së negociatave.
Megjithatë, qeveria nuk do të pranojë një datë të re për samitin, pa përfshirë më parë në diskutime çështjet që lidhen me Aktin për Përshpejtimin Industrial.
Në Londër dhe Bruksel ishte diskutuar mundësia që takimi të zhvillohej më 6 nëntor, por tashmë pritet që ai të shtyhet deri në fund të muajit ose edhe më tej.
“Ne jemi të gatshëm të negociojmë për çështjet që kanë rëndësi për ta, por edhe ata duhet të jenë të gatshëm të negociojnë për çështjen që ka rëndësi për ne. “Made in Europe” duhet patjetër të jetë pjesë e diskutimeve”, deklaroi një burim qeveritar britanik.
Shqetësimi kryesor i Londrës është se rregullat e reja mund të rrezikojnë tregtinë me vlerë miliarda paund, nëse produktet britanike nuk do të klasifikohen si produkte evropiane. Kjo do të bënte që kompanitë britanike të përjashtoheshin nga gara për kontrata të rëndësishme në tregun e BE-së.
Franca, e cila është një nga iniciatoret e ligjit “Made in Europe”, po kërkon që legjislacioni të miratohet deri në fund të vitit, çka shton shqetësimet se industria prodhuese britanike mund të mbetet jashtë përfitimeve të tij.
Parisi thuhet se e kupton qëndrimin britanik, por vlerëson se konkurrenca në rritje nga Kina e bën të domosdoshme miratimin sa më të shpejtë të ligjit. Sipas kësaj qasjeje, përjashtime ose lehtësira për vendet jashtë BE-së mund të shqyrtohen më vonë, një proces që mund të zgjasë disa vite.
Një diplomat i BE-së tha se disa prej vendeve kryesore anëtare mbështesin përfshirjen e Britanisë së Madhe në këtë nismë, megjithëse nuk ka një qëndrim të përbashkët mes të gjitha vendeve.
“Problemi është se përfitimet shihen si të pabarabarta. Britania e Madhe përfiton më shumë nga kjo marrëveshje sesa Bashkimi Evropian”, tha diplomati.
Sipas burimeve, Holanda, Gjermania, Polonia dhe Italia janë në favor të përfshirjes së Britanisë, ndërsa Franca ende nuk është bindur.
Qëndrimi më këmbëngulës i qeverisë britanike mund t’i japë Londrës më shumë fuqi negociuese për të kërkuar lëshime nga BE-ja, edhe në çështjen e lëvizjes së të rinjve, e cila përbën një përparësi politike për disa kryeqytete evropiane.
Një tjetër burim qeveritar britanik e cilësoi një marrëveshje për “Made in Europe” si një dëshmi të vullnetit të mirë, që do të tregonte se palët mund të gjejnë zgjidhje edhe për çështjet e tjera.
Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se Britania e Madhe mbetet një partnere e afërt dhe e besueshme evropiane, e përkushtuar ndaj sigurisë së përbashkët dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me BE-në për çështjen ‘Made in Europe’ dhe të punojmë së bashku, si partnerë me të njëjtat interesa, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të lehtësuar tregtinë”, tha zëdhënësi.
Kërkesa e Britanisë së Madhe për një marrëveshje mbi rregullat e prodhimit, vjen në një kohë kur industria evropiane po i kërkon BE-së masa për të kufizuar praninë në rritje të Kinës në zinxhirët e furnizimit.
Javën e kaluar, drejtues të industrisë prodhuese paralajmëruan se sektori mund të humbasë 300 mijë vende pune këtë vit, nëse nuk vendosen stimuj për t’i bërë produktet evropiane më konkurruese kundrejt pjesëve dhe produkteve më të lira që vijnë nga Kina.
Deficiti tregtar i BE-së me Kinën ka arritur tashmë në rreth 1 miliard euro në ditë, duke shtuar shqetësimet se kompanitë evropiane po humbasin terren përballë konkurrencës kineze.
Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Evropian, të mbajtur të mërkurën në Parlamentin Evropian, Ursula von der Leyen theksoi nevojën që BE-ja të zgjerojë burimet e furnizimit jashtë Kinës për mineralet e rralla dhe mineralet kritike, të cilat janë thelbësore për industrinë prodhuese.
Një tjetër zhvillim që tregon interesin e Brukselit për zgjerimin e partneriteteve me vende jashtë BE-së, ishte propozimi i papritur i von der Leyen për krijimin e një marrëdhënieje anëtarësimi të asociuar me Kanadanë.
Gjatë një takimi me kryeministrin kanadez, Mark Carney, presidentja e Komisionit Evropian deklaroi se synimi është që marrëdhëniet mes BE-së dhe Kanadasë, të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm, duke theksuar nevojën për të rishikuar partneritetet ndërkombëtare.
BE-ja dhe Kanadaja pritet të zhvillojnë një samit në fund të tetorit për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve mes tyre.
Bashkimi Evropian, i përbërë nga 27 vende anëtare, nuk ka pasur më parë një kategori të tillë anëtarësimi të asociuar. Megjithatë, ai ka marrëdhënie të ngushta me Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën, vende që kanë një integrim të thellë ekonomik me bllokun dhe zbatojnë shumë prej rregullave të tij, përfshirë lëvizjen e lirë të personave, një çështje që Britania e konsideron të papranueshme.
Carney, i cili pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian të enjten, ka bërë thirrje për krijimin e një “aleance të veçantë” me BE-në, ndërsa Kanadaja synon të ulë varësinë e saj të madhe tregtare nga Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, kryeministri britanik Andy Burnham u takua me Carney të mërkurën në mbrëmje, gjatë një ndeshjeje futbolli në Liverpul, ku të dy, si tifozë të Evertonit, ndoqën ekipin e tyre në Kupën e Ligës Angleze.
Burnham pritet të takohet gjithashtu për herë të parë me presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, javën e ardhshme.
Mundësia e një partneriteti të ri mes BE-së dhe Kanadasë mund të shtojë shqetësimet e ministrave britanikë se përparësitë e Brukselit po ndryshojnë.
Nëse Burnham nuk arrin të përmbyllë marrëveshjen për tregtinë e ushqimeve dhe pijeve, e cila ishte përfshirë që në planin e Starmerit, kjo mund të ketë pasoja edhe për buxhetin e tetorit, pasi efektet ekonomike të lehtësimit të tregtisë me BE-në janë marrë parasysh në parashikimet për rritjen ekonomike.
Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i Partisë Konservatore, Alex Burghart, dhe ministrja në hije për Mjedisin, Victoria Atkins, paralajmëruan se planet e qeverisë mund ta bëjnë Britaninë më pak konkurruese.
Duke folur në institutin kërkimor “Policy Exchange”, Burghart deklaroi se afrimi i Britanisë me BE-në, i propozuar nga laburistët, rrezikon ta vendosë vendin në një pozitë të pafavorshme dhe ta pengojë të shfrytëzojë potencialin e tij të ardhshëm ekonomik.
Ai shtoi se një qeveri e ardhshme konservatore nuk do të ishte e detyruar të ndiqte këtë marrëveshje dhe do të niste punën për krijimin e një sistemi rregullator të pavarur. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.