Fetoshi: Dënimi i terroristëve zbulon fytyrën e Listës Serbe
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të vitit 2023 ka reaguar duke e cilësuar vendimin si mesazh të qartë të drejtësisë dhe përkushtimit institucional të Kosovës ndaj sundimit të ligjit.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të vitit 2023 ka reaguar duke e cilësuar vendimin si mesazh të qartë të drejtësisë dhe përkushtimit institucional të Kosovës ndaj sundimit të ligjit.
Sipas Fetoshit, dënimi me burgim të përjetshëm për dy nga të akuzuarit dhe dënimi me 30 vjet burgim për një tjetër të përfshirë në sulm, përbën një akt të rëndësishëm të drejtësisë, ndonëse ai vlerëson se procesi mbetet i paplotë për shkak të mungesës së arrestimit të personave të tjerë të përfshirë, të cilët ndodhen në Serbi.
Ai përmendi gjithashtu se një nga figurat kryesore të këtij rasti, Milan Radoiçiq, së bashku me persona të tjerë të dyshuar, vazhdon të mos përballet me drejtësinë, duke e cilësuar këtë si sfidë për zbatimin e plotë të drejtësisë ndërkombëtare.
“Aktgjykimi i Themelores në Prishtinë për tre nga të akuzuarit e sulmit terrorist në Banjskë (2023), dy me burgim të përjetshëm (Blagoje Spasojeviq e Vladimir Toliq) dhe një me 30 vjet burgim (Dushan Maksimoviq), ndonëse ende jo i plotë për shkak të strehimit të 42 të tjerëve bashkë me kryeterroristin Milan Radoiçiq në Serbi, është MESAZH shtetëror për planet që mësyjnë rendin kushtetues, është PROVË e përkushtimit ndaj lirisë dhe demokracisë, por edhe ‘shpagim minimal’ për gjakun e heroit Afrim Bunjaku. As rrjeti i spiunazhit, as metodat financiare dhe as teknikat për manipulim ndërkombëtar (gaslighting) nuk e ‘mjegulluan’ dot të vërtetën. Sulmi në Banjskë ishte operacion ushtarak për destabilizim e rrënim të Kosovës, jo “pasojë e një revolte lokale ndaj represionit të Prishtinës”, siç tenton ta kornizojë propaganda serbe”, ka shkruar Fetoshi.
Fetoshi, mes tjerash, vlerëson se sulmi në Banjskë duhet të trajtohet si operacion i organizuar për destabilizim të Kosovës dhe jo si pasojë e pakënaqësive lokale, duke kritikuar narrativat që, sipas tij, synojnë ta relativizojnë ngjarjen.
Ai vlerësoi se reagimet e kundërta nga pala serbe dhe nga përfaqësues të Listës Serbe pas vendimit gjyqësor tregojnë, sipas tij, vazhdimësi të mbështetjes politike ndaj individëve të përfshirë në sulm.
Duke folur për qëndrimin e Serbisë, Fetoshi akuzoi Beogradin për mbrojtje të figurave të dyshuara për krim të organizuar dhe për përdorim të narrativave politike për të kontestuar proceset gjyqësore në Kosovë.
Ai përmendi gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vuçiq në kontekst të këtyre zhvillimeve, duke pretenduar se mungesa e dorëzimit të të dyshuarve mbetet problem serioz për drejtësinë.
“Qartësia ndërkombëtare, me kërkesat e vazhdueshme për ndjekjen e kriminelëve të strehuar në Serbi, vazhdon të ‘përçmohet’ me paprekshmërinë e Milan Radoiçiqit dhe shokëve të tij. Ndërkohë, Lista Serbe e zbuloi maskën përmes reagimit kundër dënimit, duke vërtetuar vazhdimin e qëllimeve të ish-shefit të saj të strehuar nga Aleksandër Vuçiqi. Pretendimet për “mungesë provash”, “jotransparencë” e “gjykim të padrejtë”, s’janë fakte, prandaj janë pjesë e komunikimit strategjik të Serbisë që lufton për tjetërsim e shpërqendrim, duke vërtetuar apologjinë e krimit si instrument politik dhe duke kërcënuar paqen e demokracinë në Ballkan”, ka shkruar Fetoshi.
Tutje, Fetoshi thotë se Kosova sot i dha përgjigje institucionale terroristëve teksa sipas tij Lista Serbe u “tradhtua” nga emocionet për Radoiçiqin dhe se tashmë Perëndimi e ka të qartë fytyrën e maskuar të Serbisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.