FOKUS – BM u kërkon 100 mijë rezervistëve të jenë gatshëm në rast lufte
– Britania e Madhe u ka kërkuar rreth 100 mijë rezervistëve ushtarakë të përgatiten për një konflikt të mundshëm, në një nismë që nuk është ndërmarrë që nga koha e Luftës së Ftohtë, shkruan skytg24.com.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta britanike “The Telegraph”, sipas së cilës Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar letra ish-ushtarakëve pjesë e rezervës strategjike, të cilët mund të rikthehen në shërbim në rrethana të jashtëzakonshme.
Në letrat e firmosura nga komandantët e ushtrisë, Marinës Mbretërore dhe Forcave Ajrore britanike, rezervistëve u kërkohet të përditësojnë të dhënat e kontaktit, të deklarojnë profesionin aktual dhe aftësitë që kanë fituar gjatë punësimit në sektorin civil.
Gjithashtu, atyre u është ofruar mundësia të marrin pjesë vullnetarisht në trajnime dhe stërvitje ushtarake, përfshirë edhe stërvitjen e NATO-s “Steadfast Defender”, e planifikuar për pranverën e vitit 2027.
Sipas ministrit britanik, kjo masë përbën një masë paraprake të nevojshme përballë situatave të mundshme të emergjencës dhe nevojës për të garantuar gatishmërinë mbrojtëse të vendit.
Nisma synon të përmirësojë gatishmërinë e rezervës strategjike dhe të sigurojë që ish-ushtarakët të mund të kontaktohen dhe mobilizohen në rast nevoje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.