FOKUS – I nxehti ekstrem nuk godet vetëm zemrën, por edhe trurin
– “Sot bën shumë vapë për të menduar!” Kush prej nesh nuk e ka thënë ose dëgjuar të paktën një herë gjatë ditëve të fundit përvëluese?, shkruan salute eu.
Mund të duket si një shprehje e zakonshme vere, por shkenca po grumbullon gjithnjë e më shumë prova se kur termometri kalon temperatura të caktuara, truri hyn në një lloj “modaliteti kursimi energjie” dhe funksionon më ngadalë.
Sipas një studimi të fundit, të botuar në revistën shkencore PLOS Climate, valët e të nxehtit dëmtojnë vëmendjen, kujtesën dhe aftësinë për të marrë vendime, duke konfirmuar se ndryshimet klimatike janë një problem jo vetëm për zemrën, por edhe për trurin tonë.
Ulen vëmendja dhe kujtesa
Sipas studiuesve, gjatë vapës ekstreme ulen vëmendja, kujtesa, aftësia për t’u përqendruar dhe shpejtësia në marrjen e vendimeve.
Por çfarë ndodh saktësisht?
“Kur organizmi është i angazhuar për t’u ftohur, një pjesë e burimeve fiziologjike ridrejtohet drejt rregullimit të temperaturës së trupit”, shpjegon Kimberly Meidenbauer, neuroshkencëtare njohëse dhe mjedisore në Washington State University, e cila prej vitesh studion efektet e temperaturave të larta mbi trurin dhe sjelljen.
Mekanizmi është i ngjashëm me atë të kompjuterëve: kur temperatura rritet shumë, procesori ul automatikisht performancën për të mos u mbinxehur.
Edhe truri, në kushte të ngjashme, ka më pak energji në dispozicion për proceset njohëse më të ndërlikuara.
“Vitet e fundit – shton Meidenbauer – disa analiza kanë treguar se i nxehti ekstrem dëmton funksionet njohëse edhe te personat e rinj dhe të shëndetshëm.”
Ndër studimet më të njohura është një eksperiment i zhvilluar në vitin 2018 nga Harvard T.H. Chan School of Public Health, i cili ndoqi një grup studentësh universitarë gjatë një vale të nxehti në Boston.
Studentët që flinin në godina pa ajër të kondicionuar kishin nevojë për më shumë kohë për të zgjidhur testet njohëse dhe bënin më shumë gabime krahasuar me ata që pushonin në ambiente me kondicioner.
“Mjaftuan vetëm pak ditë me vapë të fortë për të vërejtur një rënie të matshme të performancës njohëse”, thekson Meidenbauer.
Si i “vjedh” vapa energjinë trurit.
Arsyeja është, para së gjithash, fiziologjike.
Megjithëse truri përbën vetëm rreth 2% të peshës trupore, ai konsumon rreth 20% të energjisë së disponueshme të organizmit. Kur temperatura e jashtme rritet, një pjesë e madhe e këtyre burimeve përdoret për të mbajtur trupin në temperaturë normale.
Si pasojë, shtohet djersitja, rritet qarkullimi i gjakut drejt lëkurës dhe sistemi kardiovaskular punon më shumë për të shpërndarë nxehtësinë.
Kjo kërkon shumë energji, duke lënë më pak burime për trurin, i cili kështu e ka më të vështirë të ruajë vëmendjen, kujtesën, përqendrimin dhe aftësinë për të arsyetuar e për të marrë vendime. )os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.