Grossi: Irani nuk ka tentuar të riparojë objektet bërthamore të dëmtuara nga sulmet amerikane dhe izraelite
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se që nga qershori 2025 nuk është identifikuar asnjë aktivitet për riparimin e objekteve të dëmtuara, ndërsa agjencia ende nuk mund të verifikojë rezervën iraniane të uraniumit të pasuruar deri në 60 për qind.
Shefi i agjencisë bërthamore të OKB-së tha të martën se nuk ka asnjë shenjë që Irani të ketë tentuar të riparojë ose të rindërtojë objektet e tij bërthamore të dëmtuara nga sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite këtë vit dhe vitin e kaluar, siç njofton Associated Press.
“Që nga qershori 2025, nuk kemi identifikuar asnjë aktivitet për të riparuar ose rindërtuar ndonjë nga objektet e dëmtuara në sulmet ushtarake të viteve 2025 dhe 2026”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar programit bërthamor të Iranit.
Grossi i bëri thirrje Teheranit t’u japë inspektorëve akses në të gjitha objektet bërthamore, përfshirë ato të dëmtuara nga sulmet. Agjencia nuk ka qenë në gjendje të verifikojë gjendjen e rezervës iraniane të uraniumit afër nivelit të armëve që kur SHBA-ja bombardoi objektet e saj vitin e kaluar.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor. Megjithatë, sipas IAEA-s, vendi zotëron një rezervë prej 440.9 kilogramësh uranium të pasuruar deri në 60 për qind pastërti — vetëm një hap i shkurtër teknik nga niveli 90 për qind, i nevojshëm për armë bërthamore.
Mbledhja e së martës e Këshillit të Sigurimit u thirr nga Bahreini, Danimarka, Letonia, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja, pasi IAEA e referoi Iranin në Këshill për mosrespektim të detyrimeve të mospërhapjes bërthamore. Rusia dhe Kina, aleate të Iranit, u përpoqën pa sukses ta pengonin mbledhjen.
Zëvendësambasadori iranian në OKB, Gholamhossein Darzi, sulmoi Këshillin për heshtjen pas sulmeve amerikano-izraelite, duke i denoncuar ato si luftëra agresioni dhe duke akuzuar SHBA-në për krime lufte kundër popullit iranian. Ambasadori amerikan Mike Waltz e quajti Iranin “diktaturë brutale” dhe kërkoi shpjegime për dështimin e vazhdueshëm të Teheranit në përmbushjen e detyrimeve të garancive: “Gënjeshtrat tuaja nuk vlejnë këtu”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.