FOKUS – Milanoviq: BE nuk mund të shndërrohet në një perandori jofunksionale të dominuar nga disa vende
ZAGREB, 27 nëntor /ATSH -AA/ – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) po kalon një periudhë të vështirë dhe nuk ka përgjigje për sfidat me të cilat përballet, duke paralajmëruar se BE-ja nuk mund të shndërrohet në një “perandori jofunksionale” të dominuar nga disa vende.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, pas takimit të liderëve të Procesit të Bërdo-Brionit në Ohër, Milanoviq tha se edhe zgjidhjet që po ofrohen për sfidat aktuale të BE-së janë të këqija.
“Bashkimi Evropian nuk mund të shndërrohet në mënyrë spontane dhe pa mbikëqyrje në një perandori jofunksionale, të dominuar nga disa. Në këtë, Kroacia, sa më përket mua, nuk do të marrë pjesë dhe nuk do të pajtohet me këtë”, tha Milanoviq.
Ai theksoi se dëshiron t’i shohë të gjitha vendet e rajonit si anëtare të BE-së, përfshirë edhe Kroacinë, por shtoi se Unioni nuk është një aleancë gjeopolitike apo ushtarake.
Sipas tij, BE-ja është një bashkim tregtar, doganor dhe hapësinor, me kufizime të shumta, i cili mund të funksionojë shumë mirë, siç është dëshmuar në vitet e kaluara, megjithëse jo edhe në vitet e fundit.
Duke folur për takimin në Ohër, presidenti kroat e cilësoi atë si takimin më konstruktiv dhe më të këndshëm deri më tani, duke theksuar atmosferën e respektit të ndërsjellë dhe qasjen e arsyeshme ndaj çështjeve për të cilat liderët mund të kenë qëndrime të ndryshme.
“Atmosfera e respektimit të bashkëbiseduesve dhe qasja e arsyeshme ndaj disa çështjeve që mund të na ndajnë ose për të cilat nuk kemi të njëjtin qëndrim, është një përparim i madh. Këtë përshtypje po e marr sot nga Ohri dhe kjo është më e rëndësishmja për mua”, tha Milanoviq.
Ai kujtoi se Procesi i Bërdo-Brionit u krijua rreth 15-16 vjet më parë me qëllim që Kroacia dhe Sllovenia të ndihmonin vendet e tjera të rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Milanoviq shprehu gjithashtu shpresën se liderët do të vazhdojnë të takohen në të njëjtën përbërje edhe vitin e ardhshëm, duke vlerësuar se takimi i këtij viti në Ohër është zhvilluar në një atmosferë të mirë, falë organizimit nga vendi nikoqir, Maqedonia e Veriut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.