FOKUS – Parisi akuzon aktorë të huaj për ndërhyrje në debatet demokratike
PARIS, 13 tetor /ATSH -DPA– Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka paralajmëruar sërish për përpjekjet e ndërhyrjes së huaj që synojnë zgjedhjet presidenciale në Francë në vitin 2027, duke përmendur edhe miliarderin amerikan Elon Musk mes aktorëve që ndikojnë në debatet demokratike në Evropë.
“Përballë zgjedhjeve të vitit 2027, kundërshtarët e demokracisë po bëjnë gjithçka për të na destabilizuar”, deklaroi Barrot në fjalimin përmbyllës të një konference të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kushtuar forcimit të besimit dhe demokracisë.
Sipas ministrit francez, aktorë të huaj shfrytëzojnë përçarjet në shoqëri dhe instrumentalizojnë çështje si emigracioni, laiciteti dhe konflikti izraelito-palestinez, për të nxitur urrejtjen dhe tensionet.
Barrot përmendi, ndër të tjera, një kompani izraelite që kishte krijuar llogari të rreme franceze në rrjetet sociale për të nxitur përplasje artificiale lidhur me çështjen palestineze. Ai kritikoi gjithashtu fushatat e ngacmimeve masive në internet nga Elon Musk ndaj drejtuesve evropianë, me synimin për të ndikuar në debatet kombëtare përmes përhapjes së shpejtë të përmbajtjeve në rrjetin e tij social.
Ministri paralajmëroi edhe për fushata që synojnë të krijojnë bindjen se zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë do të manipulohen.
Ai denoncoi gjithashtu shfrytëzimin e protestave të nxënësve të shkollave të mesme në Francë përmes narrativave armiqësore, që sipas tij vijnë nga Rusia, Kina, Irani dhe qarqe të lëvizjes MAGA, të cilat mbështesin presidentin amerikan Donald Trump.
Javën e kaluar, Trump deklaroi në platformën e tij Truth Social se situata në Francë lidhej me emigracionin masiv të pakontrolluar dhe pretendoi se bëhej fjalë për Islamin që kërkon të marrë nën kontroll një vend dikur të madh.
“Ne i shohim këto ndërhyrje, i denoncojmë dhe u përgjigjemi me vendosmëri”, theksoi Barrot, duke nënvizuar se Franca nuk toleron asnjë ndërhyrje të huaj, pavarësisht nga burimi i saj.
“Është një çështje sovraniteti”, përfundoi ministri i Jashtëm francez.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.