FOKUS – Shpërthen sërish vullkani në Guatemalë, evakuohen mbi 600 banorë
GUATEMALA SITI, 4 gusht /ATSH-DPA/-Vullkani i Zjarrit (Volcán de Fuego) në Guatemalë, një nga vullkanet më aktivë në Amerikën Qendrore, ka shpërthyer sërish, duke nxjerrë në atmosferë një re të madhe hiri, gazrash dhe copash shkëmbinjsh të nxehtë, e cila ngrihet 4–5 kilometra mbi vullkan, njoftoi sot agjencia kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive, CONRED.
CONRED ka shpallur alarmin portokalli, niveli i dytë më i lartë i gatishmërisë për emergjenca.
Fshatrat e para pranë vullkanit, që ndodhet rreth 40 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Guatemala Siti, janë evakuuar.
“Banorët janë strehuar në qendra emergjente, ndërsa më shumë se 600 persona janë zhvendosur në zona të sigurta”, tha zëdhënësja e CONRED-it, Valeria Urízar.
Për shkak të situatës janë pezulluar edhe mësimet në shkolla.
Sipas saj, rreth 29 mijë banorë në disa zona janë prekur nga shpërthimi, kryesisht për shkak të rënies së hirit vullkanik.
Retë e hirit po lëvizin rreth 120 kilometra drejt perëndimit dhe veriperëndimit dhe mund të shkaktojnë probleme në trafikun ajror, në rajonet Chimaltenango dhe Suchitepéquez.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos i afrohen vullkanit dhe grykave të thella në shpatin juglindor të tij, pasi ato mund të përshkohen nga rrjedha të rrezikshme të materialeve vullkanike.
Instituti i Sizmologjisë dhe Vullkanologjisë njoftoi se vullkani ndodhet aktualisht në fazën më intensive të shpërthimit, ndaj kërkoi marrjen e masave mbrojtëse në një rreze prej 10 kilometrash.
Sipas medieve, disa turistë janë ngjitur në vullkanin fqinj “Acatenango”, pavarësisht ndalimit të autoriteteve, për të parë nga afër shpërthimin dhe për të publikuar video në rrjetet sociale.
Vullkani i Zjarrit, me një lartësi prej afro 3,800 metrash, ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit e Paqësorit”, një brez që përfshin zonat me aktivitetin më të lartë sizmik dhe vullkanik në botë, nga Azia deri në Amerikën Latine.
Ky është një nga vullkanet më aktivë në Amerikën Qendrore.
Vetëm vitin e kaluar ai pati dy shpërthime të mëdha, ndërsa një shpërthim i fuqishëm në vitin 2018 shkaktoi vdekjen e rreth 200 personave. /

Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.