FOKUS – Zelensky shpreson se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA do të çojnë në mbështetje më të fortë për Kievin
KIEV, 6 nëntor /ATSH AA/ – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se shpreson që rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA të sjellin mbështetje më të madhe për Kievin.
Zelenskyy tha se rritja e ndihmës ushtarake dhe financiare amerikane mund të ndikojë në llogaritjet e presidentit rus Vladimir Putin dhe ti i afrojë palët drejt negociatave.
“Çfarë nënkuptojnë për ne rezultatet e zgjedhjeve në SHBA? Si njerëz, ne gjithmonë besojmë dhe shpresojmë se çdo ndryshim do të jetë më pozitiv”, tha ai në një deklaratë të publikuar në Telegram.
Ai tha se pret që ekuilibri i ri i pushtetit në Washington të përkthehet në mbështetje më të madhe për Ukrainën, veçanërisht nëse Kongresi mbështet ndihmë shtesë ushtarake dhe financiare.
“Nëse Kongresi fillon të flasë për mbështetje të fuqishme financiare ose për mbështetjen e Ukrainës me armë – të ngjashme me atë që po dëshmon sot Evropa – kjo do të ishte pozitive”, tha ai.
“Ky zhvillim pozitiv do të ndikonte te (presidenti rus Vladimir) Putin dhe ai do të mendonte nëse ka kuptim të vazhdojë luftën. Logjikisht, kjo do të na afronte drejt negociatave të mundshme dhe paqes së mundshme”, shtoi ai.
Zelenskyy tha se Ukraina gëzon mbështetje dypartiake në SHBA dhe falënderoi Demokratët dhe Republikanët, por vuri në dukje se kandidatët demokratë kishin bërë deklarata të qarta në mbështetje të Kievit gjatë fushatës zgjedhore.
Ai gjithashtu bëri thirrje për koordinim më të madh mes Washingtonit dhe kryeqyteteve evropiane, duke thënë se aleanca është thelbësore për ndalimin e Putinit.
Duke reflektuar mbi ecurinë e luftës, Zelenskyy tha se Ukraina nuk kishte marrë ndihmë të konsiderueshme ndërkombëtare deri në nisjen e ofensivës së plotë të Rusisë në vitin 2022.
Ai hodhi poshtë sugjerimet që Ukraina të tërhiqej nga rajoni i Donbasit në këmbim të paqes, duke argumentuar se një gjë e tillë nuk do të parandalonte përparimet e mëtejshme ruse.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.