Goditet grupi që shpërndante drogë pranë shkollave, 4 në pranga dhe një në kërkim në Fier
Katër persona janë arrestuar në Fier, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni policor kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore. Gjatë aksionit, të koduar “Clean School”, policia sekuestroi 2.9 kilogramë kanabis, dy peshore elektronike dhe katër telefona celularë.
Operacioni u finalizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Sipas policisë, aksioni erdhi pas një hetimi disa mujor, gjatë të cilit u përdorën edhe metoda speciale hetimi për dokumentimin e veprimtarisë së grupit, i cili dyshohet se shpërndante drogë pranë shkollave në qarkun e Fierit.
Gjatë operacionit u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, ndaj K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të gjithë banues në Fier.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për E. B., 38 vjeç, gjithashtu banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar e njëjta masë sigurie.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe u sekuestruan 2.9 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, dy peshore elektronike dhe katër aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Fierit bën me dije se do të vijojë kontrollet dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, duke e cilësuar si prioritet parandalimin e shpërndarjes së drogës pranë institucioneve arsimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.