Iraku lejon 40 fluturime ditore iraniane drejt Najafit pasi SHBA-ja përjashtoi vendet e shenjta nga sanksionet
Iraku ka rënë dakord të lejojë linjat ajrore iraniane të kryejnë 40 fluturime ditore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Najafit, pasi Shtetet e Bashkuara miratuan përjashtimin e fluturimeve drejt vendeve të shenjta nga sanksionet ndaj Iranit, siç njofton Al Jazeera.

Zëvendëskryeministri irakian Fuad Hussein tha se e kishte takuar të enjten në Uashington sekretarin amerikan të Thesarit Scott Bessent dhe kishte diskutuar ndikimin e sanksioneve mbi Aeroportin e Najafit. “Ai e kuptoi kërkesën irakiane dhe ra dakord të përjashtojë fluturimet drejt vendeve të shenjta nga sanksionet,” shkroi Hussein në një postim, duke e cilësuar qytetin e Najafit jetik për pelegrinët myslimanë.
Përjashtimi nuk përfshin linjën iraniane Mahan Air, e cila mbetet nën sanksione amerikane. Hussein falënderoi qeverinë amerikane për mirëkuptimin, duke thënë se Bagdadi mbetet i përkushtuar për luftën kundër grupit ISIS dhe për ta mbajtur “vendimin e luftës dhe të paqes” në duart e shtetit dhe të institucioneve të tij kushtetuese.
Lajmi vjen pas një jave përpjekjesh diplomatike të Irakut për të mbrojtur qarkullimin ajror fetar drejt qyteteve të shenjta shiite të Najafit dhe Qerbelasë, ndërsa sanksionet e reja amerikane kanë detyruar disa vende të rajonit të pezullojnë fluturimet me linjat iraniane. Vendimi pritet të sjellë lehtësim për qindra mijëra pelegrinë iranianë që vizitojnë çdo vit faltoret e shenjta në Irak.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.