FRANCË – Nunez: Do të vazhdojmë të mbajmë kufizimet ndaj protestave
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, situata gjatë ditëve të ardhshme nuk do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që kemi parë deri tani”, tha Nunez për transmetuesin BFMTV.
Protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe në mbështetje të përmirësimit të kushteve në arsim u shoqëruan me akte dhune dhe plaçkitje në disa qytete më 17 tetor. Autoritetet akuzuan aktivistë të së majtës ekstreme se kishin depërtuar në demonstrata dhe i kishin shfrytëzuar ato për të shkaktuar kaos.
Në përgjigje të situatës, autoritetet franceze vendosën shtetrrethime lokale dhe kufizuan numrin e demonstratave gjatë fundjavës së kaluar.
Prania e shtuar e policisë të shtunën parandaloi një valë tjetër trazirash të përmasave të ngjashme me ato të javës pararendëse. Megjithatë, sipas Ministrisë së Brendshme, 1 435 persona u arrestuan, ndërsa më shumë se 150 protestues dhe 267 efektivë policie u plagosën.
Protesta të tjera janë planifikuar për të shtunën e ardhshme dhe më 5 nëntor, krahas një greve të përgjithshme.
Nunez deklaroi sot se prefektët do të vendosin për vazhdimin ose jo të shtetrrethimeve në dhjetra qytete në konsultim me kryetarët e bashkive.
Ai shtoi se do të ruhet gjithashtu ndalimi i demonstratave në qendrat e qyteteve, për shkak të rrezikut për sigurinë publike.
Sipas ministrit, ngjarjet e së shtunës treguan se grupe të prirura për dhunë kishin depërtuar në marshimet protestuese në Paris dhe në disa qytete të tjera, me synimin për të provokuar përshkallëzimin e situatës.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet të zhvillojë sot një vizitë të paparalajmëruar në Marsejë, qytet ku rreth një javë më parë u regjistruan trazira të rënda dhe plaçkitje.
Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu pritet të takohet me përfaqësues të nxënësve për të diskutuar kërkesat e tyre për shkolla më të pajisura dhe më shumë mësues./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.