Fshati Paniçar i Sarajit po boshatiset, banorët thonë se jetojnë në kushte të rënda
Në fshatin Paniçar të Sarajit, vetëm pak kilometra larg Shkupit, kanë mbetur më pak se dhjetë shtëpi të banuara; banorët thonë se janë harruar nga të gjithë dhe mbijetojnë me bagëti.
Në fshatin Paniçar të komunës së Sarajit kanë mbetur më pak se dhjetë shtëpi të banuara, ndërsa pjesa tjetër e banorëve janë larguar dhe shtëpitë e tyre sot janë gjysmë të rrënuara. Siç raporton Alsat, në rrugët e fshatit ekipi i televizionit takoi vetëm disa fëmijë, të cilët festën e flamurit nuk kanë ku ta festojnë; një ditë më parë, në shkollë kishin recituar disa vjersha, dhe kaq ka qenë shënimi i kësaj feste.
Një nxënës tregoi se në klasën e nëntë janë vetëm tre nxënës, në të tetën katër, në të shtatën tre dhe në të gjashtën vetëm dy, dhe se për festën e nëntorit nuk kanë asnjë organizim.
Banorët që e mbajnë gjallë fshatin thonë se janë harruar nga të gjithë. “Kushtet i kemi shumë të vështira, por çfarë të bëjmë, nuk ka përkrahje nga askush në këtë fshat. Këtu janë vetëm 12 shtëpi, të tjerët janë larguar në fshatra të tjerë”, u shpreh banori Samedin Jakupi, duke shtuar se ata që kanë mbetur mbijetojnë me bagëti dhe se tokat i punon vetëm një pakicë.
Një tjetër banor tha se fshati është i vjetër mbi 350 vjet dhe se aty mungon gjithçka, nga rruga te puna. Ai u uroi 28 Nëntorin shqiptarëve kudo që janë, me shpresën që kushtet e shqiptarëve të përmirësohen në të ardhmen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.