Grabiti gati 790 mijë denarë në një kazino në Shkup, policia i gjeti në shtëpi vetëm 300 mijë
Një 50-vjeçar nga Shkupi është kallëzuar penalisht për grabitjen e një kazinoje në bulevardin "Partizanski Odredi", ku nën kërcënimin e armës së zjarrit mori 789.600 denarë; gjatë bastisjes në shtëpinë e tij policia gjeti rreth 300.000 denarë, dy maska të zeza dhe veshje.
Një 50-vjeçar është kallëzuar penalisht për grabitjen e një kazinoje në Shkup, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit kishte marrë 789.600 denarë. Siç njofton Alsat, grabitja ka ndodhur më 18 nëntor, ndërsa gjatë bastisjes së kryer tetë ditë më vonë policia gjeti një pjesë të parave dhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë veprës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, grabitja është kryer më 18 nëntor, rreth orës 05:55, në një kazino në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup.
Pas hetimeve dhe masave të ndërmarra nga policia e Karposhit, më 26 nëntor në orën 06:00, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup, është kryer bastisje në shtëpinë dhe në hapësirat e tjera të D.K. (50), si dhe në automjetin e tij “Toyota” me targa të Shkupit.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur rreth 300.000 denarë, dy maska të zeza dhe veshje të tjera. Për të dyshuarin është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.