Gjini: Kosova ka dështuar ta tregojë të vërtetën përballë propagandës serbe
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka folur për akuzat ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe proceset gjyqësore në Hagë, duke thënë se Kosova nuk ka arritur ta paraqesë siç duhet narrativën e saj përballë propagandës serbe.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gjini ka deklaruar se ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë nuk ishte rezultat i mashtrimit të aleatëve, duke përmendur në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne nuk kemi rrejt, Kosova nuk e ka lajthitur botën. Nuk kanë qenë të lajthitura SHBA-të, kur kanë intervenuar për të shpëtuar Kosovën”, ka thënë Gjini.
Ai ka folur edhe për pretendimet e lidhura me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, duke thënë se, sipas tij, këto akuza janë prodhuar në Serbi.
Gjini ka kritikuar mënyrën se si Kosova është përballur me këto pretendime, duke argumentuar se vendi nuk ka bërë mjaftueshëm për të paraqitur argumentet e veta.
“Kur shokohet opinioni publik me disa tema, duhet me u përballë shpejt me ato tema. Ne kemi dështu me tregu që gjasat reale janë që Serbia vetë ka bo trafikim të organeve, edhe e ka bo të njëjtën gjë me na akuzu neve”, është shprehur ai.
Duke folur për luftën e viteve 1998-1999, Gjini ka përmendur edhe rastet e transportimit të trupave të shqiptarëve të vrarë në Kosovë drejt Serbisë dhe rastin e kafenesë “Panda” në Pejë, për të cilin ka ngritur pretendimin se ishte i inskenuar nga shteti serb.
Kryetari i AAK-së ka kritikuar gjithashtu individë në Kosovë, të cilët, sipas tij, përmes shkrimeve kanë kontribuar në krijimin e një narrative negative për UÇK-në.
“Mos harroni që ka pas njerëz shumë të papërgjegjshëm në Kosovë që kanë shkru artikujt vetë që UÇK-ja është financuar prej drogës, krejt kohën kanë hudh pak baltë”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka thënë se këto qëndrime, sipas tij, kanë pasur pasoja të rënda, duke iu referuar edhe dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së në proceset gjyqësore në Hagë.
“Ne duhet me punu jo vetëm që me u shpallë këta të pafajshëm po edhe me nis me tregu qysh duhet tregimin tonë”, ka përfunduar Gjini. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.