HAGË – Wadephul: Nuk ka kuptim dialogu me Rusinë pa gatishmëri për negociata
HAGË, 28 shtator /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul tha sot se nuk ka kuptim të zhvillohen bisedime të tjera të nivelit të lartë me Rusinë, nëse Moska nuk tregon gatishmëri të vërtetë për të negociuar.
Deklarata e tij erdhi pas takimit me homologun rus, Sergei Lavrov, të shtunën në Nju Jork.
“Takimet e tjera kanë kuptim vetëm nëse Rusia është seriozisht e gatshme të negociojë”, tha Wadephul gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm holandez, Tom Berendsen, në Hagë.
Wadephul u pyet edhe nëse duhet të zhvillohen takime të tjera të drejtpërdrejta, përfshirë një takim të mundshëm mes kancelarit gjerman, Friedrich Merz dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Ministri gjerman tha se deklaratat publike të Lavrov pas takimit, treguan se Moska nuk është aktualisht e gatshme për negociata serioze.
Sipas Wadephul, bisedimet e drejtpërdrejta nuk sjellin rezultat nëse Rusia vazhdon të mbajë qëndrimin e saj për vazhdimin e luftës.
Ai tha gjithashtu se një nga qëllimet e takimit me Lavrov, ishte të theksonte se Evropa duhet të ketë një rol në negociatat për përfundimin e luftës.
Megjithatë, vendimet për të ardhmen e Ukrainës, sipas tij, duhet t’i marrin vetë ukrainasit.
Wadephul kërkoi presion më të madh ndërkombëtar ndaj Rusisë, në mënyrë që Moska të pranojë negociata serioze.
Të njëjtin qëndrim shprehu edhe ministri i Jashtëm holandez.
“Rusia duhet të ulet në tryezën e negociatave. Strategjia jonë është, më shumë presion ndaj Rusisë”, tha Berendsen.
Takimi Wadephul–Lavrov zgjati më shumë se 20 minuta dhe u zhvillua të shtunën në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ky ishte takimi i parë dypalësh mes ministrave të Jashtëm gjerman dhe rus, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Pas takimit, Lavrov minimizoi rëndësinë e tij, duke thënë se nuk kishte sjellë asnjë rezultat apo zhvillim të ri. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.